Një 11-vjeçare e mbijetuar e masakrës së shkollës fillore Robb në Uvalde, Teksas, kishte frikë se personi i armatosur do të kthehej për të, kështu që ajo u lye me gjakun e shoqes së saj dhe u shtir si e vdekur.

Miah Cerrillo tregoi për CNN përvojën e saj të tmerrshme atë ditë brenda klasës ku ndodhën të shtënat masive që vranë 19 nga shokët e saj të klasës dhe dy mësueset e saj.

Miah tha se ajo dhe shokët e saj të klasës po shikonin filmin "Lilo and Stitch" në një klasë të përbashkët nga dy mësueset, Eva Mireles dhe Irma Garcia. Nxënësit e kishin mbaruar mësimin kur mësuesit morën lajmin se kishte një njeri të armatosur në ndërtesë, tha ajo për "New Day" të CNN. Njëra nga mësueset shkoi të mbyllte derën, por Miah thotë se sulmuesi ishte tashmë aty dhe qëlloi.

Ajo përshkroi se gjithçka po ndodhte kaq shpejt – mësuesja u kthye në klasë dhe personi i armatosur e ndoqi. Ajo tha për CNN se ai bëri kontakt me sy me një nga mësueset, i tha "Natën e mirë" dhe më pas e qëlloi. Ai hapi zjarr, duke qëlluar mësuesen tjetër dhe shumë nga miqtë e Miah. Ajo tha se plumbat kaluan pranë saj dhe i prekën pjesërisht shpatullat dhe kokën. Vajza më vonë u trajtua në spital dhe doli me disa plagë të lehta. Miah tha se pasi qëlloi nxënësit në klasën e saj, personi i armatosur hyri në një klasë ngjitur. Ajo dëgjoi britmat dhe zhurmën e të shtënave në atë klasë. Megjithatë, pasi të shtënat u ndalën, ajo thotë se sulmuesi filloi të vendoste muzikë me zë të lartë - muzikë të trishtuar, tha ajo.

Vajza dhe një shoqe e saj arritën të merrnin telefonin e mësueses së saj të vdekur dhe të thërrisnin 911-ën për ndihmë. Miah tha se kishte frikë se personi i armatosur do të kthehej në klasën e saj për ta vrarë atë dhe disa miq të tjerë të mbijetuar. Kështu, ajo i zhyti duart në gjakun e një shoqeje të klasës – e cila ishte shtrirë pranë saj, e vdekur -- dhe më pas u lye me gjak për t’u shtirur si e vdekur.

Miah tha se iu duk sikur qëndroi 3 orë e shtrirë aty, e mbuluar me gjakun e shoqes së klasës, me miqtë e saj. Ajo tha për CNN se mendoi se policia nuk kishte mbërritur ende në vendngjarje. Ajo tha më pas se dëgjoi të flitej se policia po priste jashtë shkollës. Teksa rrëfeu këtë pjesë të historisë për CNN, ajo filloi të qante, duke thënë se thjesht nuk e kuptonte pse ata nuk hynë brenda për t’i shpëtuar.

Nëna e Miah tha se vajza e saj është e traumatizuar dhe nuk mund të flejë. Prindërit e fëmijës kanë nisur një GoFundMe për të paguar terapinë e saj.

Ndërsa jepte intervistën, Miah qëndronte e mbështjellë me një batanije, pavarësisht temperaturave të ngrohta. Një alarm celulari ra aksidentalisht gjatë intervistës dhe Miah u shqetësua dukshëm nga zhurma. Nëna e saj tha se kjo po ndodhte shpesh, ajo përshkroi një incident të mëparshëm ku ata ishin në një lavazh dhe zhurma e ujit e trembi shumë.

Miah ishte shumë e frikësuar të fliste në kamera, ose me një burrë, për shkak të asaj që përjetoi, por ajo i tha CNN se donte ta ndante historinë e saj në mënyrë që njerëzit ta dinin se si është të përjetosh të shtëna në shkollë. Ajo thotë se shpreson se mund të ndihmojë në parandalimin e një tragjedie si kjo për fëmijët e tjerë.

Një "fëmijë mrekulli"

Nëna e Miah tha se ajo kishte lindur me një tumor në bark dhe nuk pritej të jetonte shumë pas lindjes. Ajo iu nënshtrua një operacioni për të hequr tumorin në moshën 3-vjeçare. Nëna e saj e quante një "fëmijë mrekulli" dhe tha se kjo gjë është edhe më e vërtetë tani.

Nëna e saj tha gjithashtu për CNN se mëngjesin e të shtënave, Miah kishte një dhimbje veshi dhe ajo e nxori nga shkolla për të shkuar te mjeku. Në rrugën e kthimit, ato u ndalën në Starbucks për një pije dhe nëna e saj i tha Miah të mos shkonte më në shkollë atë ditë, pasi ishte një nga ditët e fundit para pushimeve verore dhe ata thjesht po shikonin filma.

Por Miah këmbënguli se donte të kthehej në shkollë për të takuar miqtë, kështu që nëna e saj e çoi sërish në shkollë - rreth një orë para të shtënave.

Përshtatur nga CNN