Ndodh në jetë që krejt papritur, nga një situatë e krijuar pa dashje, nga rrethanat apo kushtet në të cilat ndodhesh, ta shohësh veten “në nevojë” për të bërë një gjë fare të vogël, një gjë që të shpëton nga situata, por kurrsesi nuk mendon se nga ai çast do të varet rruga që do të marrësh më tej në jetë... Nuk po nisim të rrëfejmë një histori filmi, do të ishte patetike, por një të vërtetë nga e cila ka nisur rruga e re e një modeleje që të gjithë e njihni shumë mirë.
Prej vitesh tashmë në Amerikë, Xhesika Berberi ka gjetur një rrugë tjetër veç asaj të modelingut. Këtë të fundit e nisi shumë herët në Tiranë. Ishte ende e re kur spikati me shikimin e saj të thellë, sytë joshësh dhe tiparet gjithmonë të krahasueshme me të famshmen Gigi Hadid. Nuk do të vononte shumë dhe do të nisej edhe ajo në tokën e ëndrrave të Gigit dhe shumë modeleve të tjera në të gjithë botën. Por atje, për të bërë shumë gjëra të bukura veç modeles...
Për më shumë se një vit, Xhesi përgatiti të gjithë terrenin për të sjellë në tregun amerikan një produkt që mungonte. Që, së pari, lindi nga nevoja e saj dhe pastaj, e të gjithë të afërmve dhe miqve që kishte rreth vetes: një formulë aspak e zakontë që për Xhesin do të kthehej edhe në pasion veçse në nevojë. Vendosi ta quajë ‘3 Loves’ pijen magjike që tashmë është në marketet më të populluar të Los Angeles, por edhe përtej, në shumë kompani të mëdha marketingu që gjenerojnë online, si edhe në vitrinat kryesore të produkteve të shërbimit.
Sapo nis të flasë për ‘3 Loves’, i duket qartazi një pasion i brendshëm, me të cilin rrallëherë ndeshesh: “Biznesi është e ardhmja ime dhe më bën shumë të lumtur” – thotë Xhesi kur nis të rrëfejë se si është të bësh biznes në një vend aq të madh si Amerika – ku të paktën, duket të kesh guxim prej ‘të çmenduri’ që të mendosh (ëndërrosh) se mund të pushtosh atë treg në të cilin kurrë nuk mungon asgjë. Por jo për Xhesin. Ajo e nisi, madje edhe e ka futur në rrugë shumë të mbarë ‘3 Loves’ – biznesin ‘bebe’ për momentin, por shumë shpejt synon të kthehet në një brand shumë të kërkuar. Për shkak të formulës së tij magjike, por edhe nevojës që shumica prej nesh kërkojmë nga një produkt: cilësi, funksion dhe, pa dyshim, shije të veçantë.
'3 Loves' është kudo, madje tani gjendet edhe në të gjitha zyrat e 'Condé Nast', si një 'ilaç' për trurin dhe për shpirtin krijues.
Nga ‘çaku’ i parë kur i lindi ideja e një produkti të tillë e deri tani, kur ‘3 Loves’ konkurron njëlloj me dhjetëra-qindra produkte të tjera në Amerikë në tregjet dhe marketet më të mëdha, Xhesi vendos të ndajë me ne një pjesë të kësaj përvoje, e cila, për të është një pasion i madh që ajo e bën me shumë dashuri. Këtë do e kuptoni shpejt, mjafton t’i hidhni një sy intervistës së saj, ekskluzivisht për Class.
Si lindi ideja e ‘3 loves’ – janë tri dashuritë që të kanë shoqëruar deri tani në jetë?
Kisha shumë kohë që doja një ndryshim në jetën time dhe mendova, pse jo një ndryshim në karrierë? Modelingun e kam pasur pasion shumë të madh, por deri diku filloi duke u zbehur pak nga pak dhe mendova të bëja diçka tjetër. Fillova duke pasur miliona ide në kohë, por asnjëra nuk po më godiste. Derisa një ditë u sëmura shumë keq, me dhimbje barku, më kapën dhimbjet e barkut. Isha me shoqen time dhe i kërkova “të lutem, mund të shkosh pak poshtë në farmaci ndonjë ilaç, sepse kam shumë dhimbje”. Ajo kthehet dhe më thotë “uaaaauu, po sikur të bësh atë çajin që na e bënin dikur mamat, çaj rigoni, e zien rigonin, e kullon edhe e pi. Një minutë mbrapa nuk ke më as dhimbje, asgjë". Në momentin që po pija atë çajin, që nuk është se ka një shije shumë të mirë, po e pija dhe aty thashë "uaaaauuu, unë këtë dua të bëj, një pije që ka funksion, por që ka edhe një shije shumë të mirë".
Sa e vështirë është të bësh biznes në Amerikë?
Mendoj se për sa kohë ke një qëllim në jetë dhe për sa kohë punon dhe beson drejt këtij qëllimi te ky plan që ke, çdo gjë është e mundur. Kam pasur fatin të rritem në një familje që më ka dhënë shumë besim, sidomos mami. Ajo më ka thënë që gjithmonë mund të bëj çdo gjë në jetë dhe duke pasur këtë lloj mbështetjeje, mendoj se ka qenë e lehtë për mua. Sigurisht, bota e Start-Up-it nuk është e thjeshtë, por unë e kam bindje që çdo gjë është e mundur.
Kush kanë qenë njerëzit që të kanë mbështetur më shumë për këtë projekt?
Në këtë projekt më ka mështetur çdo njeri i mundshëm dhe ndihem shumë me fat dhe shumë e lumtur, si nga rrethi im i afërt, si edhe nga njerëz që i kam takuar nëpërmjet biznesit. Mbështetje shumë të madhe gjithashtu, kam parë edhe tek vajzat dhe gratë në biznes. Kam vënë re që ato mblidhen të gjitha bashkë dhe luftojnë për njëra-tjetrën. Kjo është një gjë shumë e bukur, sepse kur të gjitha gratë bëhen bashkë dhe krijojnë atë “high vibe tribe”, çdo gjë është e mundur. Unë vdes për këtë frymë solidarizimi.
Pse zgjodhe pikërisht këtë natyrë biznesi, çfarë këshille do t’i jepje dikujt që dëshiron të bëhet pjesë e botës së biznesit?
Për të gjitha ata që duan të fillojnë një biznes, unë mendoj që mënyra më e mirë për të filluar një biznes është që të gjesh pasionin tënd, cili është pasioni yt dhe e kuptoj që nuk është e lehtë, të gjesh pasionin tënd, por ka një mënyrë shumë të thjeshtë dhe unë mund t’ju jap një ushtrim që mund ta bëni dhe mund ta gjeni.
Merrni një letër, një laps dhe shkruani 5 gjërat që ju i bëni shumë mirë. Mund të jetë make up, influencer, biznes, një produkt. Ju e dini më mirë se ku shkëlqeni. Mbasi t’i keni shkruar të gjitha këto, filloni dhe lexoni para pasqyrës dhe shikoni se ku do t’ju shkëlqejnë sytë më shumë. Kjo do të thotë që aty ka diçka brenda. Filloni pastaj t’i bëni pyetje vetes, “pse më pëlqen kjo? Pse mendoj që jam më i miri te kjo, pse mendoj që unë mund të jap 100 për qind më të mirën te kjo?" Dhe pjesa më e bukur është që kur fillon dhe punon për pasionin tënd, puna nuk është më punë, puna është një degë tjetër dashurie dhe ti çdo gjë që bën, e bën me shumë qejf dhe ke qejf, do të zgjohesh në mëngjes, ke arsye.
Mes të qenit modele dhe një vajze në biznes, cilën do zgjidhje?
Modelingu ka qenë një nga arsyet kryesore që unë jam këtu ku jam sot dhe ka qenë një pasion shumë i madh për mua dhe unë dua gjithmonë që të punoj, ndihem shumë e plotësuar brenda kur punoj, sepse është shumë e rëndësishme, dhe për atë etapë të jetës sime ka qenë gjëja më e mirë që mund të bëja. Ndërsa kjo etapë në të cilën jam tani mendoj që biznesi është e ardhmja ime dhe më bën shumë e lumtur.
Çfarë mendon se të ka rritur shumë profesionalisht dhe të ka bërë kjo që je sot?
Unë jam gjatë gjithë kohës në rrugëtim, në progres, në rritje, kështu që nuk mund të them “kjo që jam sot”. Kam akoma shumë ëndrra që dua t’i realizoj, ashtu sikundër edhe shumë ide që më lindin njëra pas tjetrës, stimuluar edhe nga rrethanat. Mendoj se vullneti për t’i çuar nismat deri në fund, por dhe puna me përkushtim për atë që ke dëshirë të bësh janë ‘çelës’ për të pasur sukses në jetë.
Me cilën nga vajzat e njohura të showbiz-it në Amerikë, ke më shumë miqësi?
Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë modele shqiptare sheh këtu në Amerikë dhe, sigurisht, të prezantohemi nga këto vajza kaq të bukura nuk ka kënaqësi më të madhe. Por vajza e showbiz-it shqiptar që unë kam më shumë shoqëri dhe që e dua shumë, është Angela Martini. Jam shumë me fat që e kam në jetën time. Ajo është si një “shpatull” për ty, është një mikeshë e vërtetë, është shumë speciale ajo që kemi dhe ia uroj çdo njeriu të ketë një miqësi si jona.
Si e mban të ekuilibruar raportin mes Shqipërisë dhe Amerikës, je e bindur për vendin ku do të jetosh përfundimisht?
Shqipërinë e dua shumë, jam shumë krenare që jam shqiptare, madje gjithë shoqëria ime më thotë “Oh, ti je një brand ambassador i Shqipërisë". Kur takoj ndonjë person të ri në rreth shoqëror, gjëja e parë që bëj është të hap telefonin dhe të tregoj fotot e shqipërisë, "shiko sa e bukur është Shqipëria", "shikoje pak bregdetin tonë", "shikoje pak natyrën tonë" dhe të gjithë kanë interes që të vijnë ta takojnë. Mendoj që po vjen një frymë e re, po çel, po gjallëron, është koha jonë dhe është koha që ne ta shtyjmë sa më shumë këtë moment që kemi.
Për të jetuar atje, kurrë mos thuaj kurrë. Mbase. Sidomos në verë një herë, sepse më pëlqen shumë jugu.
Cili është sekreti i linjave perfekte trupore? Si ia del të qëndrosh kaq në formë?
Ha shumë shëndetshëm, ushtrohem 4 herë në javë, bëj joga dhe bëj meditim, sepse më bën mirë edhe për shëndetin mendor. Dhe sigurisht, pi ‘3 Loves’.
Nga 1-10, sa e realizuar ndihesh në këtë fazë të jetës?
Mendoj se jam gjithë kohën në punë, po mësoj, po rritem, po evoloj si njeri. Mendoj që e realizuar jam 11, gjithmonë në rritje e sipër.
Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria?
“Sistemi im mbështetës”, që është familja ime, më mungojnë vendet e bukura që kemi ne, natyra e bukur që kemi, ushqimi shumë i mirë që kemi, sidomos ajo tava e kosit, ai gatimi i mamit, çdo gjë është shumë e mirë.
E ke menduar të kthehesh përfundimisht këtu?
E thashë edhe më lart, kurrë mos thuaj kurrë. S’i dihet asnjëherë...
Credits:
Fotografia: Iva Kozeli
Design: Xhesika Berisha