Bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin, bëri kërkesë për divorc pasi mësoi se gruaja e tij e tradhtoi me Elon Musk – kompania e makinave elektrike të të cilit, Tesla, u mbështet nga Brin gjatë krizës financiare të vitit 2008.

Dy titanët e teknologjisë ishin miq prej kohësh dhe Musk ka thënë se për vite me radhë ai shkonte rregullisht në shtëpinë në Silicon Valley të Brin, deri në lidhjen e shkurtër të Musk me Nicole Shanahan vitin e kaluar, tha Wall Street Journal.

Brin dhe Shanahan ishin të ndarë, por ende jetonin së bashku në kohën e lidhjes së saj me Musk në dhjetor, tha një person i afërt i saj për Journal. Brin, i cili ka një pasuri prej 90 miliardë dollarësh, bëri kërkesë për divorc në janar, duke përmendur "dallimet e papajtueshme". Kjo ndodhi disa javë pasi Brin zbuloi se Shanahan ishte lidhur me Musk, thanë për Journal njerëz të njohur me këtë çështje.

Brin urdhëroi gjithashtu këshilltarët e tij financiarë që të likuidonin investimet e tij në kompanitë e ndryshme të Musk në mes të tensionit në rritje mes miliarderëve.

Në vitin 2008, Brin i dha Musk një “litar shpëtimi” prej 500,000 dollarësh për Teslën, kur kompania po përpiqej të rriste prodhimin në mes të krizës. Musk e shpërbleu më vonë Brin duke i dhënë atij një nga SUV-të e parë tërësisht elektrikë të Teslës.

Disa orë pasi lajmi u publikua dje, Musk pretendoi në një postim në Twitter se takimet e tij me Shanahan nuk kishin asgjë romantike dhe ai mbeti mik me Brin.