Romancieri spanjoll, Javier Marias, i njohur për stilin elegant të të shkruarit dhe rrëfimet me aq shumë mister, është ndarë në jeta në moshën 70-vjeçare në shtëpinë e tij në Madrid. Mësohet nga botuesi i librave të tij se shkak i vdekjes ishte pneumonia, nga e cila shkrimtari vuante prej disa kohësh.
Marias ishte ndër të paktët shkrimtarë që kombinoi mjaft mirë vlerësimet e kritikës me një lexues bestseller: Ai shiti rreth 8 milionë kopje të 14 romaneve të tij, katër libra me tregime të shkurtra dhe dhjetëra koleksione eseistike. Librat e tij u përkthyen në 46 gjuhë të botës; romani i tij i vitit 1992 ‘Un Corazón Tan Blanco’ (Një zemër kaq e bardhë, shiti më shumë se 1.3 milion kopje vetëm në Gjermani.
Për tematikën e librave të tij, misterin dhe tradhtinë, e kanë krahasuar Marias Marcel Proust dhe Ian Fleming.
Marias ishte kandidat i rregullt për çmimin Nobel, librat e tij ishin jo vetëm mjaft të njohur, por edhe të vlerësuar, të mbushur me mister, tradhti dhe peshë të madhe morale – pasojë e së kaluarës.
‘Një zemër kaq e bardhë’ Javier Marias
Është një roman mbi dashurinë dhe vdekjen, mbi atë që nuk duhet thënë dhe atë që nuk dëshiron ta dish, i strukturuar mrekullisht tek të gjithë personazhet, me dyshimet e tyre dhe shkëmbimin e mundshëm, të cilët transmetojnë tek lexuesi një sens paqetie të thellë, një ndjesi realiteti jo komod, të vështirë për t’u shpjeguar e po aq i vështirë për t’u pranuar. “Një zemër kaq e bardhë” është një citim nga “Makbethi”. Lady Makbeth, pasi mori vesh për vrasjen e mbretit Dunkan nga i shoqi, i drejtohet me këto fjalë: “Duart e mia janë si të tuat, por kam turp të kem një zemër kaq të bardhë”. Dhe një zemër të bardhë ka jo ai që është i pafajshëm, por ai që nuk është infektuar nga fjalët dhe fajet e të tjerëve. “Zbulova, (po vetëm pasi e përfundova të gjithin), se “Një zemër kaq e bardhë” fliste për sekretin dhe rehatinë e mundur, të joshjes e nxitjes, për martesën, përgjegjësinë e dikujt që ka mësuar diçka, mundësisë për të mësuar dhe pamundësisë për të injoruar, për dyshimin, për të folurën dhe heshtjen.”