Një pasagjer, i cili u zhduk nga një anije lundrimi në Gjirin e Meksikës, është shpëtuar pas më shumë se 15 orësh në det, thanë rojet bregdetare amerikane.

28-vjeçari kishte qenë në një lokal në anijen Carnival Valor me motrën e tij mbrëmjen e së mërkurës, por pasi u largua për të shkuar në tualet nuk u kthye më.

Disa ekipe shpëtimi kërkuan në zonë dhe djali më në fund u vu re të enjten në mbrëmje, rreth 30 km nga brigjet e Luizianës.

Mësohet se ai është në gjendje të qëndrueshme.

Togeri Seth Gross i Rojes Bregdetare të SHBA tha se i riu mund të kishte qenë në ujë për më shumë se 15 orë - "koha më e gjatë absolute që kam dëgjuar dhe vetëm një nga ato mrekullitë e Ditës së Falënderimeve".

Gross i tha CNN se rasti nuk ishte i ngjashëm me asgjë që ai kishte parë në karrierën e tij 17-vjeçare dhe se rezultati i lumtur "tregon se vullneti për të jetuar është diçka ku duhet të mbështeteni në çdo rast kërkim-shpëtimi".

Është e paqartë se si djali u zhyt në ujë nga anija që ishte rrugës për në Cotumel në Meksikë.

Në vitin 2018, një grua 46-vjeçare britanike u shpëtua 10 orë pasi ra në detin Adriatik nga anija e saj turistike. Në atë kohë, ajo i rrëfeu një shpëtimtari se e kishte ndihmuar fakti që ajo ishte në gjendje të bënte joga dhe se këndoi për të mos ndjerë të ftohtë gjatë natës.