Dea Mishel u sulmua në rrjet pas vendimit që çoi në eliminimin e Efit nga Big Brother Vip. I ftuar sot në “Ftesë në 5”, në një intervistë virtuale ishte babai i Deamishelit, Bujar Hoxha, i cili foli për komentet e shumta në rrjet, duke u shprehur:

“Ndihem shumë mirë. Ime shoqe e ka marrë pak më seriozisht situatën. Unë e kuptoj që është thjesht një lojë dhe kaq, nuk kam ç’të them më. E vetmja gjë që mund të them për vajzën është se është origjinale, nuk ka ndryshuar asgjë, është njësoj si në jetën e përditshme: e prerë, e saktë, e rregullt, e drejtë. Këto nuk janë fjalë që i thotë një baba për vajzën e tij, por është e vërteta, pavarësisht se mund të tingëllojë për keq”.

Më pas, ai shtoi se vajza e tij ka treguar karakter në lojë:

“Vajza ime është labe dhe nuk bën kurrë mbrapa për asgjë. Ama kur ka faj, kërkon edhe falje. Atëherë kur duhet të tregojë karakterin e saj, ajo e bën, qëndron e fortë dhe e palëkundur. Ajo nuk ka fyer askënd, është sjellë me edukatën që e karakterizon me të gjithë, ama kur sheh një padrejtës, i rri përballë, nuk shmanget siç kanë bërë të tjerët. As nuk ka mashtruar, as nuk ka bërë prapraskena. Pastaj, në spektaklin ku është, në lojë, unë e shoh si është në jetën e përditshme, pa asnjë ndryshim".

Ai shprehu edhe ankesat dhe kritikat e tij ndaj banorëve të shtëpisë, por edhe ndaj personave që komentojnë vendimin e Deas:

“Unë kam ankesat e mia ndaj njerëzve që janë brenda, por edhe ndaj atyre që janë jashtë. Nuk mund të pranoj kurrë bullizim të grave që janë aty (brenda). Ajo lojë është një paraqitje e shoqërisë aktuale, që në disa momente kalojnë edhe në bullizim, ofendime dhe fyerje të rënda dhe shoqëria nuk reagon”, shtoi ai.