Në një monolog të realizuar për programin italian “Le Iene” këngëtari me origjinë shqiptare që jeton në Itali, Ermal Meta rrëfen rrugëtimit e nënës së tij nga brigjet e Shqipërisë drejt Italisë.

Ai gjithashtu solli në kujtesë gjendjen e vështirë të grave në atë kohë, sepse në ato ditë, siç tregon këngëtari, mund t’i ndodhte çdo gjë një vajze pa burrë. Në një rrëfim të gjatë, Meta tregoi si mirësia e dy të panjohurve i ndryshoi jetën familjes së tij.

Monologu i plotë:

“Ajo grua nuk i besonte askujt. Një ditë, në rrugë, i afrohet një i panjohur dhe i thotë se ka dëgjuar gjëra, gjëra të tmerrshme që do t’i ndodhin. Ajo frikësohet, por e beson. Në fund të fundit, çdo gjë mund t’i ndodhte një gruaje pa burrë në ato kohë.

I panjohuri e këshillon të largohet, por ajo nuk di se si. Ai ofron të paguajë për një pasaportë të huaj gjermane dhe nuk dëshiron asgjë në këmbim. I kërkon vetëm foto pasaporte. Kur ajo e pyet pse po e ndihmon, ai përgjigjet se nuk po e bën vetëm për atë, por edhe për fëmijët e saj.

Të nesërmen, gruaja bën fotografitë dhe ia çon. Ai shkon te një falsifikues dhe një javë më vonë, pasaporta është gati. I huaji i uron fat. Ata nuk do ta shohin më kurrë njëri-tjetrin. Gruaja i lë fëmijët me nënën e saj dhe shkon të marrë tragetin që shpreson ta çojë në një jetë të panjohur, por të mirë, si ai burri.

I kalon kontrollet nga policia shqiptare, pa vështirësi dhe kështu, rreth orës 07:00 të ditës tjetër, anija në të cilën ndodhet hyn në portin e Brindizit. Para zbarkimit, çdo pasaportë kontrollohet me përpikëri.

Por, në Itali, situata bëhet më e ndërlikuar. Në kontroll, një oficer vë re pasaportën false. Ai duket se e kishte kuptuar tashmë. “Kjo pasaportë është e rreme, e di?” thotë me zë të ulët. “Po, e di," pranon ajo. “Nuk mund të lë të kalosh, duhet të të kthej prapa”.

Gruaja qan duke u përpjekur të mos shihet nga të tjerët. Më pas, nga çanta nxjerr një fotografi dhe ia tregon. “Këta janë tre fëmijët e mi. Nëse kthehem nuk do të ketë të ardhme për ta”. Me të dëgjuar këtë, oficeri merr pasaportën e saj dhe e vulos.

“Ajo është e lirë të shkojë”. Ajo do të donte ta përqafonte, por nuk mundej. “Ik, dhe paç fat,” i thotë oficeri, duke i treguar derën e së ardhmes së saj të pasigurt. Nuk u panë më kurrë.

Dy akte dashamirësie shpëtuan katër jetë. Mes atyre jetëve ishte edhe e imja. Jini të sjellshëm. Ju mund të shpëtoni dikë.”