Artisti i njohur Alban Kondi është rrëfyer si rrallëherë në një intervistë krah bashkëshortes së tij Eneida Zalli.

Për ata që nuk e mbajnë mend, çifti është martuar në syrin e publikut gjatë garës së “Lufta e Nuseve”  në Tv Klan vite më parë. Të ftuar në “Rudina” ata kujtuan edhe premtimet që i kishin bërë njëri-tjetrit. Por nga përgjigjjet e tyre, rezulton që çifti ka dalë barazim sepse asnjëri nuk e ka mbajtur premtimin ndaj tjetrit.

Albani nuk e la cigaren dhe Eneida nuk mësoi të gatuante.

Sakaq, ata janë vetëm pak javë larg takimit me djalin e tyre të dytë që do të vijë në jetë. Edhe pse rrëfyen se nuk janë ende të sigurt për emrin, zbuluan se kanë menduar për të zgjeruar edhe më tepër familjen.

Eneida u shpreh se tashmë ka marrë mësimet nga shtatzënia e parë dhe ishte komenti i Albanit ai që zbuloi planin e madh. Mesa duket kjo është edhe një dëshirë e djalit të tyre të parë, Floranit, i cili u lumturua kur mori vesh se do të ketë një vëlla. Çifti shtoi se është këmbëngulës për të pasur një vajzë në familje dhe do të tentojë derisa t’i realizohet dëshira.

Mua më ka mësuar që të mos e vras mendjen për asgjë, mos të frikësohem, mos të filloj të mendoj çfarë mund të shkojë keq sepse nuk më ka shërbyer për asgjë, praktikisht. Me shtatzëninë e parë, me Floranin isha pak…si e trembur, në thonjëza po themi, merrja ato analizat dhe i shqyrtoja një më një dhe thoja pse më ka dalë kjo, pse më ka dalë kjo, kurse kësaj radhe kam qenë komplet e qetë, rehat, nuk e kam vrarë mendjen fare.”-tha Eneida.

Çifti u kthye 15 vite pas, në fillimet e marrëdhënies së tyre të cilën asokohe nuk e mendonin se do lindte një histori të vërtetë dashurie.

“Unë isha studente në një fakultet tjetër dhe Albani në një fakultet tjetër. Kishim unë një shoqe, ky një shok që kishin punët e tyre bashkë dhe unë shoqëroja shoqen, ky shoqëronte shokun dhe padashje aty filluam u ngatërruam edhe ne duke shkuar nëpër shkollat  e njëri-tjetrit. Nisi si diçka normalisht kështu e lezetshme, jo me idenë që do ishte diçka shumë serioze, por ja ku jemi 15 vjet më pas.

Eneida mendon se çelësi i jetëgjatësisë së marrëdhënies së tyre është të qenurit shokë të ngushtë. Jemi akoma shumë shokë të ngushtë, që nga fillimet tona kemi qenë shumë shokë përveçse partnerë të dashur e me radhë. Vazhdojmë të jemi akoma shumë shokë të ngushtë dhe them që kjo ka qenë një ndër gjërat që na ka mbajtur kaq gjatë dhe vazhdon të na mbajë kaq gjatë dhe të lidhur me njëri-tjetrin.”-rrëfeu Eneida.