Inxhinierja shqiptare, Mira Murati e cila është shefe e teknologjisë në kompaninë OpenAI ishte e pranishme në eventin e 10 vjetorit të platformës Code.org.

Murati në këtë panel ishte ulur krah fytyrave më emintete të teknologjisë, siç është Bill Gates.

“Çfarë nate për të festuar 10 vjetorin e @codeorg së bashku me Bill Gates, Mira Murati, Aloe Blacc, Superintendent Bob Runcie dhe vajza të reja të mahnitshme në shkencën e kompjuterave”, shkroi Hadi Partovi, themelues dhe CEO i Code.org në rrjetet e tij sociale.

Code.org® është një organizatë jofitimprurëse e inovacionit arsimor, e dedikuar për vizionin që çdo nxënës në çdo shkollë të ketë mundësinë të mësojë shkenca kompjuterike si pjesë e edukimit të tyre bazë.

Kjo organizatë zgjeron qasjen në shkencat kompjuterike në shkolla, me fokus në rritjen e pjesëmarrjes nga të rejat dhe studentët nga grupe të tjera të nënpërfaqësuara. Ofruesi kryesor i kurrikulës së shkencave kompjuterike K-12 në distriktet më të mëdha shkollore në Shtetet e Bashkuara, organizon gjithashtu fushatën vjetore Hour of Code, e cila ka angazhuar më shumë se 15% të të gjithë nxënësve në botë. Code.org mbështetet nga Microsoft, Amazon, Google dhe shumë të tjerë.

Ndërsa OpenAI është kompania që vitin e kaluar bëri bujë me lançimin e chatbotit me Inteligjencë Artificiale ChatGPT si dhe projekte të tjera me këtë teknologji. Me lançimin e ChatGPT, shumë kompani të tjera teknologjike rritën synimet për të lançuar gjithashtu mjete të ngjashme me AI sikurse Google, Meta dhe kompani të tjera. Sipërmarrësi Elon Musk gjithashtu po punon në një mjet të tillë.