...Sapo dera hapet krijohet një ndjesi se diçka e mirë të pret.
E veshur me xhinse dhe këmishë të bardhë, një kombinim që e karakterizon, Manjola na fton në shtëpinë saj.
Sekreti i parë që do t'ju tregojmë është që, edhe në aksesorin më të vogël në atë shtëpi, dallohet përkushtimi dhe kujdesi në detaje që një grua si Manjola ka.
Ti e kupton sapo hyn që je në shtëpinë e dikujt që dominohet nga vlerat artistike.
Ngjyrat e qeta, kombinimi i tyre, këndet me libra, aroma e mirë dhe....filxhanët më të veçantë që mund të keni parë, gjenden pikërisht në shtëpinë e artistes Manjola Nallbani.
Me muzikën e saj, Manjola, e cila zotëron dhe titullin 'Mjeshtrja e Madhe', i ka rezistuar kohës dhe energjia e saj është e pranishme në çdo vend që ka shqiptarë.
Përtej karrierës kuptimplotë, për më shumë se 3 dekada, përtej vlerës së pazvendësueshme që zotëron në muzikën shqiptare, ne e vendosëm fokusin në këtë intervistë tek Manjola si një grua, si një nënë dhe si një bashkëshorte.
Pa asnjë dyshim, mund ta përshkruajmë, si një model për çdo grua, pasi përtej Class-it që Manjola transmeton, ti dallon thjeshtësinë dhe mirënjohjen që ajo zotëron për gjërat më të vogla në jetë.
Si nënë e dy vajzave, si një bashkëshorte në një dashuri shumëvjeçare dhe si një artiste, Manjola rrëfen për CLASS disa detaje nga jeta e saj.
Receta e jetës për Manjolën është…
Kjo jetë vetëm receta nuk ka! Ne lindim si fletë të bardha dhe i shkruajmë ditë pas dite recetat e jetës sonë. Në fillim me naivitetin e moshës dhe pastaj si rezultat i zgjedhjeve që bëjmë dhe vendimeve që marrim. Herë shtyrë nga arsyeja dhe herë nga ndjenja, herë nga fati. Por kjo është hyjnorja e secilit prej nesh, që shkruan ditë pas dite një jetë unike.
Kryesorja është së pari që ti në këtë jetë nuk ke bërë keq, së dyti u përpoqe të gjeje më të mirën e vetes dhe së treti të vlerësoje jetën.
Gjëja e parë që të vjen në mendje sapo zgjohesh në mëngjes?
'Faleminderit Zot që u zgjova dhe që kam mundësi të nis një ditë të re.'
1 recetë që të karakterizon ty, pra një gatim që ti e bën shpesh për të dashurit e tu?
Përsa i përket gatimit, kam trashëguar dorën e mamit, që gatuan jashtëmase mirë. Edhe nga ana e babit, gatuanin jo vetëm gratë por edhe burrat, përveç babit tim.
Mund ta keni dëgjuar shpesh shprehjen: 'E bërë me dashuri'. Është e vërtet që në çdo gjë që gatuan, ndoshta edhe një vezë të skuqur, e do një lloj përkushtimi dhe dëshire për ta bërë atë gjë.
Gjëja që bëj më mirë janë pastat, sidomos pastat me karkaleca, ose do të veçoja saganaq me karkaleca.
Ne e dimë që Manjola nuk e do palestrën, por...
Ndryshe nga ç'mund të mendohet apo thuhet, unë regjimin e palestrës nuk e kam pëlqyer asnjëherë.
Kur kam qenë vajzë, në shkollë, kam qenë sportive, por jo me regjim palestre apo të isha shumë e rregullt në kujdesin ndaj trupit.
Po mund të them se gjithë jetën time kam pasur një kujdes të përhershëm në ushqim.
Gjatë pandemisë bëra zbulim të mirë, sepse hapja në Youtube video të ndryshme me ushtrime në kushte shtëpie dhe vërtet që më ka pëlqyer shumë dhe unë e vazhdoj edhe sot. Një kujdes minimal, por i përditshëm dhe i vlefshëm.
Për mua shumë të rëndësishme janë: e para geni, nga prindërit dhe e dyta ushqimet.
Unë nuk kam konsumuar pothuajse asnjëherë ushqime të shpejta, me sheqerna artificiale apo pije të gazuara. Madje vajza më merrte leje nga shkolla: 'Mami unë kam 3 javë pa ngrënë një patatinë, a mund ta ha një tani.'
Duhet pak sakrificë...
Po në ditët kur nuk je në gjendje të mirë emocionale, çfarë i thua vetes?
Në momentet kur jam e mërzitur, e shqetësuar, qetësinë perpiqem ta gjej brenda familjes. E gjejmë tek njëri-tjetri. Me kalimin e kohës, duke u pjekur, unë punoja me veten time.
Në momentin që je mëzitur, ti gjen një mënyrë për ta zbutur situatën në mendjen apo zemrën tënde.
Unë i them vetes gjithnjë: ti tani je e mëzitur për këtë gjë por dikush tjetër ka diçka më të vështirë se ti.
3 aksesorë që dallohen në shtëpinë e Manjolës?
Televizori i pari pa të cilin unë nuk rri do as një minutë. Edhe sikur të mos jem ulur për ta parë dua të dëgjohet nëpër shtëpi. E dyta janë librat, shumë të rëndësishëm për mua, dhe e treta pia]no që më shërben dhe për punën në akdemi.
Çfarë nuk duhet të mungojë në gardërobën e një gruaje?
Xhinset për mua, i dua shumë! Një këmishë e bardhë dhe natyrisht një fustan i zi.
Je e dashuruar si në ditën e parë?
Në ditën e parë dashuria ka kimi të fortë. Tani dashuria ka një tjetër fuqi dhe rëndësi.
Sepse kemi ndarë një jetë bashkë, kemi rritur fëmijët, kemi ndarë çdo gëzim dhe çdo vështirësi në jetë.
A të ka penguar karriera në familje?
Nuk do të thoja që më ka penguar, por unë ashtu si karrierën edhe familjen e kam krijuar në moshë shumë të re. Fillimi ka qenë pak i vështirë, sa arrita të ndërtoj raportin e drejtë midis përkushtimit në familje dhe përgjegjësisë që kisha në profesion.
Karriera artistike, jo vetëm që mua më ka bërë kjo që jam sot, por unë e kam vënë absolutisht në shërbim të familjes sime.
Çelësi kryesor për të mbajtur një ekulibër dhe për mos të lejuar që njëra të dëmtojë tjetrën është që. e para të kesh shumë dashuri për gjithçka që ti ke krijuar, por mbi të gjitha duhet të dish kujt t'i japësh prioritet në momente të caktuara.
Dhe mbi të gjitha, duke qenë dhe nënë, asnjëherë nuk e kam diskutuar që përpara kujdesit të përditshëm për fëmijët e mi, të vendos një interes profesional.
Si e përshkruan me një fjalë marrëdhënien tënde me bashkëshortin?
Si në ligjet e fizikës, si dy të kundërta që tërhiqen.
Cilësia më e mirë e një burri që qëndron pas një gruaje me shumë CLASS, është...
Mençuria!
Këshilla që u thua më shpesh vajzave?
T'i sigurojnë vetes përmes shkollës dhe punës një të ardhme që mos të jenë të varura nga askush, por të jenë gjithnjë të zonjat e vetes, sido që t'u vijë jeta.
Po një këshillë për nënat që duan të kenë një marrëdhënie më të afërt me vajzat e tyre?
Nuk besoj që bëhet me këshillë, është diçka që ti e ke ose nuk e ke në natyrën tënde.
Kjo vjen edhe nga fakti se si ti je rritur, si të ka mësuar ty nëna jote apo si e ke pasur komunikimin me nënën tënde. Nuk ka raport më të rëndësishëm se i mamasë me vajzën.
Është e rëndësishme që vajza të konsiderojë gjithmonë si shpatullën e parë ku mund të mbështetet dhe ku mund të tregojë gjithçka. Është vetëm mamaja ajo që di të të japë atë këshillën më të mirë sepse askujt si mamaja nuk i dhemb shpirti për fëmijën dhe ti ke kaluar më përpara në ato shtigje që kalon fëmija yt. Nëse ti i krijon fëmijës një marrëdhënie besimi nuk ka gjë më të mirë.
Kush është momenti më i bukur në rrugëtimin tënd në muzikë?
Ka disa momente. Festivalet ku kam fituar çmime, recitalet, turnerat në Europë dhe Amerikë. Po ashtu edhe performanca për të nderuar Presidentin Bill Klinton. Gjithashtu, dhe performanca kur ka ardhur sekretari i shtetit të SHBA, William Perry për herë të parë në Shqipëri.
Për fat të mirë nuk mund të ndaj një moment, në çast më vijnë shumë momente në mend.
Kënga që nuk do rreshtje kurrë së kënduari?
'Kur humba një dashuri'
'Vetëm unë'.
Një këngë e re do të publikohet së shpejti, na trego diçka për të?
Kënga është nga dy kompozitor të rinj, Stivi Ushe dhe Aleks Gjonpalaj, është drejt përfundimit.
Gjëja që mund t'ju them është që edhe mua vetë kur e dëgjoj më krijon një ndjesi shumë të mirë.
Çfarë 'ingredienti' mungon sot në muzikën shqiptare?
Besoj identiteti. Nuk na kristalizohet muzika. Kur e dëgjon një turk apo një francez, nuk mund ta perceptojnë që është një muzikë shqiptare, siç ne themi të anasjelltën. Të gjithë ne jemi në një situatë që po përpiqemi të bëjmë gjëra që t'i duam për veten tonë, por në të njejtën kohë të mendojmë që i pëlqen edhe publiku. Është një dilemë e madhe.
Si është Manjola përballë studentëve?
Jam shumë e përkushtuar. Investohem dhe shpirtërisht dhe profesionalisht tek studentët. Nuk shkoj për ta përfunduar si punë, por vë në shërbim të studentëve gjithë eksperiencën time. Besoj që kjo është diçka që ndjehet dhe unë marr mbrapsht një energji të mirë nga të gjithë ata që duan të bëhen artistë të vërtetë.
Cila është ajo gjë që të frikëson më shumë në jetë?
Sëmundja. Shëndeti mendor dhe pastaj fizik.
Sot je mirënjohëse që...
Që erdha në këtë jetë, që ekzistoj. Që erdha në jetë, me sy, me mendje, me dorë në rregull.
Për çdo ditë që jetoj, jo vetëm për ato ditë që gjërat shkojnë në rregull, por edhe për ditët me sfida dhe vështirësi, që çdokush kalon, dikush më shumë e dikush më pak, të cilat të bëjnë më të fortë.
5 librat e preferuar për Manjolën, që një grua duhet t’i lexojë patjetër?
1. 40 RREGULLAT E DASHURISË, Efil Shafak
2. SHPIRTI
3. Këtu do vendos të gjithë librat e Dan Brown-it, janë një 'must' për çdo grua
4. Leksione Kimie, Bonnie Garmus
5. Romani i shkruar nga vajza ime Sindi, 'Njësoj të ndryshëm'