Muzeu Historik Kombëtar përmes një njoftimi në rrjete sociale drejtuar agjencive turistike, drejtuesve të tureve kulturore dhe palëve të tjera të interesuara, bën me dije se do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 mars 2024 deri më datë 15 mars 2028.

Asgjë nuk do të ndryshojë në pamjen e jashtme të godinës, por hapësirat e brendshme do t’i nënshtrohen tërësisht një koncepti të ri.

Kështu do të shndërrohen, pavjonet të cilat nuk do të jenë më 7 siç ka funksionuar prej dekadash, por linja muzeale do të ngrihet në tre shtylla kryesore, arkeologji, etnografi dhe letërsi dhe ku do të zhvillohet 12 ekspozita të përkohshme.

Specialistët kanë sqaruar më parë se me rikonceptimin që do t’i bëhet muzeut do të shtohen edhe sipërfaqet e ekspozimit. Në total në Muzeun Historik Kombëtar ruhen mbi 6200 objekte.

“Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 Mars 2024 deri më datë 15 Mars 2028. Ju falenderojmë për mirëkuptimin tuaj!””, thuhet në njoftim.