Bleona Qereti u paraqit ditën e djeshme në Gjykatën Penale të Tiranës. Natyrisht që i madh ishte kurioziteti i publikut për të mësuar se cila ishte çështja që e ka çuar Bleonën drejt dyerve të Gjykatës.

Bëhet fjalë për një kallëzim të bërë ndaj një studioje arkitekturore, me të cilën kishte pasur një kontratë për arredimin e një apartamenti. ‘Panorama’ raporton se këngëtarja shqiptare e cila jeton në SHBA ka dhënë një pjesë të lekëve, por që nga studioja arkitekturore nuk janë kryer punimet, për këtë arsye çështja ka përfunduar në gjykatë. Prokurorja e mëparshme që ka pasur dosjen dhe që është larguar nga vetingu, ka kërkuar pushimin e çështjes.

Ndërkohë prokurori aktual Bledar Valikaj kërkoi tërheqjen e akteve për hetim më të thelluar. Bleona është fotografuar teksa është duke iu nënshtruar kontrollit dhe si shihet edhe nga fotot, po dorëzon sendet e saj personale. Pas disa kohësh që kjo çështje qëndronte pezull, duket se ka marrë fund konflikti i saj me studion e arkitekturës, që ka nisur vite më parë. Këngëtarja e ka kontraktuar firmën e arkitektes për të përfunduar punimet e shtëpisë saj, madje i ka dhënë edhe një pjesë të pagesës.

Por teksa afatet e përfshira në marrëveshje kanë përfunduar, këngëtarja ka parë që në shtëpinë e saj nuk është kryer asnjë punim nga studioja që e kishte marrë përsipër. Në këto kushte, Bleona dhe arkitektja në fjalë, kanë pasur disa përplasje verbal, për shkak të parave që nuk ktheheshin tek këngëtarja. Në këto kushte, Bleona i është drejtuar gjykatës, për të pasur një zgjidhje të këtij konflikti. Megjithatë, historia u përket disa viteve më parë dhe çështja nuk është bërë kurrë publike. Vetëm tani, që prokurori i ri i çështjes ka kërkuar tërheqjen e akteve për një hetim më të thelluar, skandali i disa viteve më parë ka dalë në sipërfaqe.

Nga hetimet e deri më tanishme, nuk është konstatuar vepër penale dhe çështja është dorëzuar nga Prokuroria e Tiranës në Gjykatë, për t’u pushuar. Duke njohur natyrën e Bleonës, që shpesh herë reagimet i ka pasur të ashpra edhe në publik, jemi duke pritur nëse vetë artistja do të zgjedhë që të reagojë në lidhje me këtë çështje që e ka çuar në dyert e gjykatës.