Denis Meçe, autori i dyshuar i ngjarjes në Pogradec, ku mbeti i vrarë Egli Proga, ka deklaruar për Policinë pasi është arrestuar se ishte penduar e se nuk kishte qëllim t’a vriste atë.

Meçe ka rrëfyer gjithë rrjedhën e ngjarjes që nga momenti kur ka hyrë në lokalin, ku ndodhej edhe viktima, e deri sa është larguar nga vendi i gjarjes.

Dëshmia e Denis Meçes:

“Unë kam dashur t’i fus një shpullë, por sa i jam afruar, kam ngritur dorën, ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më.

Mua nuk më është besuar hiç dhe pasi jam frikësuar nga situata, jam larguar.

Dua të them se unë kisha gjithë ditën që konsumoja alkool dhe me sa pashë edhe ai ishte i dehur. Rrugës për në fshatin Buçimas kam ndaluar makinën time në krah të rrugës dhe kam fjetur pasi isha i dehur.

Kur më ka dalë gjumi mora në telefon avokatin duke i thënë çfarë kishte ndodhur pasi kisha merak dhe ai më tha që personi i dëmtuar kishte ndërruar jetë. Në këtë moment i kam thënë avokatit: Eja më merr dhe më shoqëro për në komisariat sepse dua të jap deklarimet e mia.

Dua të theksoj se nuk kam patur konflikte me personin e dëmtuar as nuk kam patur ndonjë njohje me të, nuk kam patur qëllim për të sjellë këtë pasojë, por edhe nuk kam patur qëllim t’i shkaktoj asnjë lloj dëmtimi.

Ndjehem i penduar edhe pse kam qenë në gjendje të dehur i kërkoj falje familjes dhe kërkoj që të zbardhet e vërteta pasi siç e thashë jo vetëm që nuk kam patur qëllimim për ta vrarë, por as për ti shkaktuar dëmtime. Aktualisht jam i rënduar psikologjikisht dhe nuk mund të jap të dhëna të tjera për shkak të gjendjes psikologjike, pasi jam edhe i shokuar.”

Këto janë deklaratat e dhëna në orën 03:30 minuta kur Denis Meçe u dorëzua. Fillimisht ai për forcat blu nuk ka pranuar se e ka goditur Egli Progën.

Avokati i tij mbrojtës është shprehur; “Klienti im e ka goditur vetëm njëherë por nuk ka patur qëllim për ta vrarë”.