
Spektakli më i madh televiziv në Shqipëri, “Big Brother VIP 4”, është gati të ngrejë siparin më 21 dhjetor. Ndërkohë që përgatitjet po përfundojnë, janë zbuluar disa detaje interesante që kanë shtuar entuziazmin e publikut.
Një nga surprizat e këtij edicioni është përzgjedhja e Heidi Bacit, ish-banorja e edicionit të tretë, si moderatore e programit “Big Brother VIP Fan Club”. Ky format i dedikohet analizës së detajeve dhe dinamikave brenda shtëpisë, duke ftuar opinionistë të ndryshëm për të ndarë mendimet e tyre në studio.
Këtë vit, për herë të parë, shtëpia më e famshme në Shqipëri do të mirëpresë jo vetëm personazhe VIP, por edhe njerëz të zakonshëm me histori të veçanta. Ky ndryshim pritet të sjellë më shumë diversitet dhe emocion në garën për çmimin e madh.
Për të katërtin vit radhazi, Arbër Hajdari rikthehet në rolin e opinionistit. Risia e këtij edicioni është Neda Balluku, e cila do të sjellë perspektivën e saj në analizimin e ngjarjeve dhe marrëdhënieve brenda shtëpisë.
Publiku ka filluar të spekulojë mbi identitetin e personazheve të njohur që do të bëhen pjesë e garës. Emrat e tyre do të zbulohen vetëm ditën e nisjes së spektaklit, duke mbajtur fansat në ankth dhe pritje.
