Mbesa e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, Ina Simaku, ka bërë akuza të forta ndaj aktorit shqiptar Herion Mustafaraj, duke pretenduar se ai ka kryer veprime të papërshtatshme dhe të dëmshme ndaj hallës së saj.

Në një deklaratë publike, Ina Simaku ka pohuar se Herion Mustafaraj, i cili punon në hotelin ku ndodhet e strehuar Parashqevia, ka hyrë pa leje në dhomën e saj duke përdorur çelësin e punës. Sipas saj, aktori ka manipuluar këngëtaren duke i premtuar se do e ndihmonte të gjente të birin, Lukën, dhe ish-bashkëshortin e saj, Robert Nolfe, ndonëse ajo tashmë është në kontakt me ta dhe planifikon t’i takojë së shpejti.

Ina Simaku ka theksuar gjithashtu se hallës së saj i është shkaktuar një krizë emocionale si pasojë e veprimeve të Mustafarajt, ndërsa pretendon se aktori ka kërcënuar edhe nipin e këngëtares, Ani Simakun. Ajo ka paralajmëruar se familja do të ndërmarrë hapa ligjorë për të mbrojtur Parashqevinë dhe për të ndalur çdo ndërhyrje që ata e konsiderojnë dashakeqe.

“Parashqevia është në krizë emocionale dhe nuk është mirë si pasojë e këtij njeriu! Çdo ndërhyrje tjetër nga ne do konsiderohet dashakeqe dhe do denoncojmë në polici!” – ka deklaruar Ina Simaku.
Nga ana tjetër, kujtojmë se Herion Mustafaraj publikoi para disa ditësh një video në Instagram ku shfaqej duke kënduar këngë patriotike me Parashqevi Simakun, e cila dukej e buzëqeshur. Deri më tani, aktori nuk ka reaguar për këto akuza.