E dashur mendje, të lutem pusho!
Mendime, mendime, mendime… flet tërë kohën. Nuk je veç një zë. Je një mijë zëra që flasin njëkohësisht: kaos që nuk ka as fillim, as fund, arkitekte e frikërave të mia, mjeshtre e dyshimit, rrëfimtarja më e pamëshirshme e kujtimeve që doja t’i harroja…
Më rrëmben nga e tashmja dhe më hedh në një zbrazëti ku koha nuk ekziston. Më lë atje, të mbërthyer midis “çfarë nëse”-ve dhe “duhej të kisha”-ve. Më bën të jetoj dhjetë jetë paralele në mendjen time, por asnjërën në botën e vërtetë.
Ti nuk më lejon të gëzoj pa pyetur veten nëse e meritoj…
Nuk më lejon të ndiej pa më kujtuar dhimbjen që mund të vijë pas saj…
Çdo përjetim bëhet i brishtë nën peshën e analizave të tua të pafundme. Lumturia më duket një borxh që do të më kërkosh ta shlyej më vonë…
Më mban zgjuar natën me fjalë që nuk i kam thënë kurrë dhe biseda që nuk kanë ndodhur kurrë, më akuzon për mëkatet që s’i kam kryer ende dhe më ndëshkon për gabimet e dikujt që s’jam më.
Më bën të dyshoj për gjithçka. Më vë përballë me një pasqyrë që shtrembëron gjithçka, duke më bërë të dyshoj nëse jam unë apo një version tjetër. Përballë pasqyrës, e shoh dhe nuk e njoh veten, si një reflektim i mangët i asaj që dëshiroj të jem, një siluetë e mjegullt e asaj që doja të isha por nuk kam mundur kurrë të arrij.
Më gënjen. Më thua se nëse mendoj mjaftueshëm, do të gjej përgjigjet. Por e vërteta është e kundërta: sa më shumë të ndjek, aq më shumë humbas.
E dashur mendje, të lutem pusho.
Nuk të kërkoj të më ndihmosh, as të më shërosh.
E di kjo është natyra jote, dhe unë jam thjesht viktima jote më e rehatshme. Unë nuk të luftoj dot, sepse ti je unë.
Por, vetëm për një çast.
Të lutem… pusho!
Më lër të jetoj pa pyetje, pa skenarë, pa fantazma të krijuara nga ti. Më lër të ndiej një moment pa e copëtuar në analiza të kota. Më lër të marr frymë pa pasur frikë nga ajri që më mbush mushkëritë.