Asgjë nuk është më “VIP” në këtë edicion të “Big Brother” sesa zjarri që vazhdon të digjet edhe pasi dritat e shtëpisë janë fikur. Pas paralajmërimit të aktorit Laert Vasili për ndjekje ligjore ndaj disa banorëve të shtëpisë më të famshme në Shqipëri, ka ardhur si një shpërthim reagimi i G-Banit, ish-banorit të edicionit të katërt, i cili nuk ka kursyer ironinë, akuzat dhe thumbat.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, G-Bani shfaqet i indinjuar, por edhe i përgatitur të zbulojë atë që ai e quan “hipokrizinë” e Laertit brenda dhe jashtë shtëpisë. “Të kam parë vetë si ke shikuar, si ke prekur dhe puthur duar e buzë, me konsensus sigurisht. Po do të nisësh ndjekje ligjore, merru me ato që të kanë sharë e kërcënuar realisht, jo me përqafimet,” shkruan ai, duke e vënë theksin në atë që ai e sheh si një sjellje kontradiktore të aktorit.
Duke folur për ndihmën që Laerti sipas tij ka marrë për të arritur deri në finale, G-Bani përmend edhe produksionin – një akuzë që nuk tingëllon e re për publikun e “Big Brother VIP Albania”, por që vazhdon të ndezë debat. E mes rreshtave, nuk mungojnë as kunjat për disa prej banoreve të shtëpisë që, siç thotë ai, “e kanë mbajtur me hatër” Laertin.
Por ajo që e bën këtë reagim edhe më të veçantë është fundi, ku G-Bani përpiqet të bëjë një ndarje të qartë mes emrit dhe përmbajtjes. “Babai im ishte oficer, por shkruante poezi e vazhdon të botojë edhe sot. Ti, për 4 muaj brenda shtëpisë, nuk shkruajte asnjë varg,” përfundon ai.