Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur një armëpushim të përkohshëm në luftën në Ukrainë, në kuadër të shënimit të 80-vjetorit të “Ditës së Fitores”, një ditë historike kur ish-Bashkimi Sovjetik mundi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Armëpushimi do të zgjasë 72 orë, nga 8 maji deri në fund të 10 majit, dhe Kremlini ka bërë thirrje për Ukrainën që të bashkohet me këtë masë, duke e konsideruar si një hap simbolik për të nderuar ngjarjen. “Rusia beson se pala ukrainase duhet të ndjekë këtë shembull,” tha Kremlini, ndërkohë që Ukraina ende nuk ka dhënë asnjë reagim për këtë propozim.

Ky vendim vjen në një kohë kur përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje kanë marrë gjithashtu një nxitje të re nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka intensifikuar përpjekjet për ndërmjetësim. Megjithatë, deri më tani, Putin kishte refuzuar të pranonte një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar, duke e lidhur atë me kushte specifike si ndalimi i furnizimeve perëndimore të armëve për Ukrainën dhe ndalimin e përpjekjeve mobilizuese nga ky i fundit.