Pas një qëndrimi prej afro katër muajsh në izolim, Rozana Radi është gati të rikthehet në jetën e saj të mëparshme dhe sidomos të bëjë muzikë të re. Këngëtarja dhe aktorja e njohur shqiptare fitoi zemrat e publikut me natyrshmërinë, forcën e karakterit dhe emocionet që solli gjatë gjithë rrugëtimit të saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Vetëm pak ditë pas daljes nga spektakli, Rozana ka vendosur të mos humbasë kohë dhe të kthehet fuqishëm në skenën muzikore. Ajo ka njoftuar së fundmi se po punon për projekte të reja, ndërsa surpriza më e madhe për fansat e saj është rikthimi i një prej bashkëpunimeve më të suksesshme në karrierën e saj.
“Mr. Yesterday – pjesa e dytë” është projekti që Rozana pritet të sjellë së shpejti në bashkëpunim me Noizyn. Kënga e parë, e publikuar vite më parë, ishte një hit i madh në tregun muzikor shqiptar dhe ende këndohet kudo.
Ky rikthim pritet me shumë entuziazëm nga publiku, ndërsa vetë Rozana ka premtuar një vazhdim të denjë për origjinalin dhe me një qasje më moderne.