Noizy hap kapitullin e parë të albumit të tij të ri “Icon” me një projekt ndryshe nga çdo gjë që kemi parë prej tij më parë. Kënga “Dashni ke ra” vjen e shoqëruar nga një klip me regji të vetë artistit, ku muzika bashkëjeton natyrshëm me narrativën filmike, humorin e lehtë dhe dy protagonistë që nuk mund të kalojnë pa u vënë re: Rajmonda Bulku dhe Gëzim Rudi, dy figura të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, i japin klipit një peshë artistike që e çon përtej kufijve të një videoklipi muzikor.
Historia është e thjeshtë, por aq e përjetshme sa vetë dashuria: një djalë i dashuruar dhe një vajzë, por familja e saj nuk e pranon. Ajo që e bën këtë narrativë të funksionojë kaq mirë është mënyra si është sjellë vizualisht — me ritëm, humor të hollë dhe një estetikë të kuruar në detaj. Klipi është një mini-komedi romantike e ambientuar në realitetin shqiptar, ku shikuesi ndjen menjëherë lidhjen me personazhet.
Noizy surprizon në rolin e regjisorit, jo thjesht si prezencë në kamerë, por si mendje që drejton narrativën me ritëm dhe mjeshtëri.
Konkluzioni? Një start i zgjuar për albumin “Icon” dhe po, cinematic urban pop është një term që me këtë klip merr formë.