Në një kohë kur titujt e mediave po përvijojnë tensionet mes anëtarëve të famshëm të familjes Beckham, përdoruesit e vëmendshëm të rrjeteve sociale kanë rikthyer në vëmendje një shkëmbim thumbues mes vëllezërve Romeo dhe Cruz Beckham në Instagram.

Në pamje të parë, komenti i Cruz-it më 7 prill nën një postim të vëllait të tij Romeo mund të dukej i pafajshëm: “Shumë bukur, Romeo”, shoqëruar me një emoji yjesh dhe një zemër rozë. Por përgjigjja e Romeos me dy emoji duke qeshur me lot u interpretua si një thumb i drejtpërdrejtë ndaj gruas së vëllait të tyre të madh, Brooklyn Beckham, Nicola Peltz.

Arsyeja? Vetëm dy ditë më parë, më 5 prill, Nicola kishte komentuar me të njëjtat fjalë dhe emoji nën një postim të ish-të dashurës së Romeo-s, Mia Regan: “Shumë bukur, Mia”. Ky paralelizëm nuk iu shpëtoi ndjekësve, të cilët nisën të kritikojnë komentet e vëllezërve si “fëminore” dhe provokuese.

Sipas burimeve, marrëdhënia mes Brooklyn Beckham dhe familjes së tij është përkeqësuar ndjeshëm. Në prill, u bë e ditur se Brooklyn nuk flet më me Romeo-n. Ai dhe bashkëshortja e tij, Nicola, kanë munguar në disa nga ngjarjet më të rëndësishme familjare, përfshirë ditëlindjen e 50-të të David Beckham në Miami dhe sfilatën e modës së Victoria Beckham në Paris.

Për më tepër, çifti nuk ishte i pranishëm as në festën e dytë të ditëlindjes së Davidit në Londër. Sipas TMZ, edhe pse udhëtuan për të qenë pranë tij, ata u refuzuan në mënyrë të tërthortë dhe u sugjerua që të merrnin pjesë në eventin me të ftuar VIP, nëse donin të takonin Davidin.

Raportimet shtojnë se Nicola është lodhur nga sjellja e prindërve të Brooklyn-it, të cilët thuhet se e trajtojnë atë në mënyrë “toksike” dhe “narcisiste”. Thuhet gjithashtu se David dhe Victoria refuzojnë të bisedojnë për krisjen familjare në praninë e Nicola-s, pasi ajo “u kundërvihet dhe mbron Brooklyn-in me ngulm”.

Zërat për përplasje mes Nicola dhe Victoria-s nisën që para dasmës së tyre në Florida në vitin 2022, por çifti i ri i mohoi gjithmonë këto thashetheme.

Brooklyn dhe Nicola janë bashkë që nga viti 2019 dhe u fejuan një vit më pas. Së fundmi, sipas The Sun, ata janë duke forcuar praninë e tyre në SHBA, në një kohë kur distanca me familjen Beckham në Angli po bëhet gjithnjë e më e dukshme.