Prej gati dy muajsh, këngëtarja e njohur shqiptare Big Mama ndodhet në izolim si pjesëmarrëse në spektaklin “Ferma VIP”. Por, larg zhurmës së jashtme dhe në qetësinë e natyrës, artistja ka vendosur të ndajë një nga plagët më të thella të jetës së saj, një histori që ka qëndruar e heshtur për shumë kohë.

Në një moment të ndjeshëm emocional, ajo ka rrëfyer për herë të parë detaje tronditëse nga lidhja e saj e parë, e cila u shndërrua në një përvojë dhune fizike dhe psikologjike.

“Ishte lidhja e parë. Filloi me xhelozi të madhe, presion psikologjik… më largoi nga shoqëria, më mbylli në vetvete. Nuk isha më vetja. Kur desha të flisja për ndjesinë që diçka nuk shkonte, ai filloi dhunën.” – u shpreh ajo.

Big Mama tregoi se një episod i rëndë dhune i kishte lënë pasoja fizike aq të rënda, saqë për një javë nuk kishte mundur të hante.

“Nga shtrëngimi që më ka bërë në fyt, nuk munda të haja për një javë. E fsheha, nuk doja të dilja në portale… kisha hallin e familjes.”

Ajo kujtoi gjithashtu një moment kritik: pasi kishte postuar një foto për ditëlindjen e tij, reagimi i partnerit ishte i dhunshëm dhe përçues.

Ai u çmend. Më tha ‘Hiqe urgjent’. E shihja që nuk kisha lumturi, vetëm stres. Kuptova të vërtetën: unë isha viktimë.”

Pas shumë vuajtjesh dhe pasigurish, Big Mama gjeti forcën për t’i dhënë fund këtij kapitulli të dhimbshëm të jetës. Me guxim dhe vetëdije, ajo mori vendimin për t’u larguar nga një lidhje që vetëm e shkatërronte.

Në fund të rrëfimit të saj, këngëtarja dha një mesazh frymëzues për të gjitha vajzat dhe gratë, një thirrje për vetëvlerësim dhe guxim:

“Shumë herë ne shqiptarët mendojmë çfarë thonë të tjerët. Asnjë familje nuk ka fëmijë për të hedhur poshtë. Mos iu përgjëro asnjë mashkulli, bëhuni zonja e vetes suaj.”