Ilaçi i momentit, i quajtur tashmë nga shumë si “injekcioni mrekulli” për aftësinë e tij për të ndihmuar në humbjen e shpejtë të peshës, është në fakt Ozempic – një ilaç i krijuar fillimisht për trajtimin e diabetit. Por e vërteta është se Ozempic shoqërohet me efekte anësore që janë gjithçka përveçse “glamour”. Një prej tyre është fenomeni i quajtur goja Ozempic (Ozempic mouth), një ndryshim i padëshirueshëm që manifestohet me humbje të theksuar të volumit në fytyrë, gjë që sjell konture të theksuara rreth buzëve, rrudha dhe zgavra në anët e gojës, si edhe rënie dhe dobësim të lëkurës.
Disa fytyra të njohura ku ky efekt është vërejtur? Me siguri, Sharon Osbourne, e cila që në vitin 2023 kishte pranuar hapur se kishte përdorur ilaçin për të humbur peshë (siç e ka deklaruar në intervistën për programin Club Random with Bill Maher). Konturet e theksuara të buzëve janë të dukshme edhe te një tjetër aktore që ka pranuar publikisht se ka humbur peshë përmes Ozempic, aktorja australiane Rebel Wilson, e cila ka rrëfyer përvojën e saj në podkastin The Diary of a CEO. Me pak fjalë, çmimi i një siluete perfekte mund të jetë një pamje më e plakur dhe më pak e freskët e fytyrës.
View this post on Instagram
“Me termin goja Ozempic nuk i referohemi vetëm një ndryshimi të konturit të buzëve, por një boshatisjeje të vërtetë strukturore të pjesës së poshtme të fytyrës”, shpjegon doktori Guido Cornegliani, kirurg plastik dhe mjek estetik, drejtor mjekësor i Klinikës Forma në Milano.
Shkaku? “E gjitha vjen nga humbja drastike e dhjamit nënlëkuror, që normalisht mbështet zonën përreth gojës”, thekson ai. “Rezultati është një fytyrë e zbrazur, e shënuar nga rrudha të theksuara dhe buzë që duken si të shkëputura nga konteksti. Te ata që më parë kanë pasur trajtime me filler, efekti bëhet edhe më i dukshëm – buzët mbeten të fryra në një kontur të zbrazët, sikur nuk i përkasin më fytyrës.”
Në vitin 2023, pilula për diabetin u kthye në zgjidhjen më efektive për rënien në peshë dhe viti 2024 është shndërruar në periudhën ku efektet e kësaj revolucioni janë ndjerë në të gjitha fushat e lidhura, që nga kozmetika e deri te kirurgjia estetike dhe mjekësia estetike, e madje edhe përtej tyre.
“Rënia e shpejtë në peshë që shkaktohet nga ilaçe si Ozempic nuk i jep lëkurës kohë për t’u përshtatur”, thekson Cornegliani. “Fytyra zbrazet sidomos në zona strategjike si faqet, tëmthat, konturet e syve dhe nofulla. Filler-ët ekzistues bëhen disproporcionalë, rrathët e zinj thellohen, fytyra humbet tonin, gjallërinë dhe harmoninë, dhe konturi i buzëve duket më i plakur”.
Ky është një paradoks që duhet menaxhuar me kujdes, veçanërisht te personat që i drejtohen këtyre ilaçeve për arsye estetike.
Atëherë, si të veprohet pa ndryshuar drastikisht pamjen? “Sekreti nuk është mbushja, por rindërtimi i balancës”, sqaron mjeku.
Cili është protokolli ideal për të rikthyer harmoninë e fytyrës pas një humbjeje drastike në peshë? “Një kombinim i personalizuar dhe i menduar mirë i filler-ëve strukturorë, biostimuluesve, PRP-së dhe teknologjive jo invazive, që duhet të modulohen me kalimin e kohës. Në raste të caktuara, mund të mendohet edhe për lipofilling. Por fjala kyçe mbetet vetëm një: parandalimi. Kush nis trajtimin me Ozempic duhet të ndiqet menjëherë nga një specialist. Një regjim ushqimor i balancuar, aktiviteti fizik, suplementet dhe trajtime të vogla të drejtuara mund të parandalojnë efektin e fytyrës së zbrazët dhe Ozempic mouth para se këto të shfaqen fare.”