“Nëse bleta do të zhdukej nga faqja e tokës, njeriut do t’i mbeteshin vetëm katër vite jetë”, – ka thënë Albert Ajnshtajni, duke përkujtuar rëndësinë jetike të bletëve. Ato janë jo vetëm thelbësore për mjedisin, por edhe aleate të bukurisë. Jo rastësisht, mjalti njihet si “ari i lëngshëm i kozmetikës” dhe është i pazëvendësueshëm në setet e kujdesit personal të shumë grave.

Kjo substancë e ëmbël, e prodhuar nga bletët, ka qenë pjesë e rutinave të bukurisë që nga kohët e lashta. Gratë egjiptiane e përdornin për të lëmuar fytyrën. Kjo sepse mjalti përmban sheqerna, proteina, aminoacide, vitamina dhe minerale që e bëjnë të gjithanshëm dhe të vlefshëm.

Mjalti ka fuqi të jashtëzakonshme për të ushqyer dhe përmirësuar lëkurën përmes përbërësve të tij natyralë. Ai është një hidratues i shkëlqyer dhe ofron një sërë përfitimesh që do të ju bëjnë ta doni si Winnie the Pooh. Ja cilat janë 7 përfitimet më të mëdha të mjaltit për lëkurën:

1. Jep një shkëlqim natyral
Mjalti ndihmon në ndriçimin e lëkurës dhe hidratimin e saj. Një maskë e thjeshtë me mjaltë i jep fytyrës një shkëlqim natyral dhe ndihmon në heqjen e qelizave të vdekura, duke zbuluar lëkurën më të pastër dhe të gjallë që ndodhet poshtë tyre.

2. Pastron thellë poret
Mjalti i papërpunuar ka veti antibakteriale dhe përmban enzima e probiotikë që ndihmojnë në pastrimin e thellë të lëkurës. Me një pH të ulët, krijon një ambient të pafavorshëm për bakteret dhe lë pas një lëkurë të pastër e të hidratuar.

3. Është hidratues natyral
Po, mjalti është një nga hidratuesit më të mirë natyralë! Falë përbërjes së tij të pasur me vitamina dhe minerale, ai penetron në shtresat më të thella të lëkurës duke e ushqyer në thellësi. Ai ndihmon në balancimin e yndyrës për lëkurën e yndyrshme dhe parandalon tharjen për lëkurën e thatë. Për më tepër, nuk është komedogjenik, pra nuk mbyll poret dhe nuk shkakton akne.

4. Është eksfoliant natyral
Mjalti i papërpunuar mund të përdoret si eksfoliant i butë. Ai jo vetëm heq qelizat e vdekura, por edhe nxit rigjenerimin e qelizave të reja, duke dhënë ndriçim shtesë fytyrës. Ideal për lëkurën e ndjeshme, sepse qetëson irritimet dhe përmirëson gjendjen e saj.

5. Zbeh njollat e errëta dhe shenjat
Nëse dëshironi të eliminoni njollat, aknet apo shenjat në lëkurë, mjalti është aleati më i mirë. Me vetitë e tij anti-inflamatore dhe antiseptike, ndihmon në reduktimin e yndyrës dhe zbardhjen e njollave. Lëkura bëhet më e pastër, më e lëmuar dhe më e shëndetshme.

6. Ka veti anti-plakje
Mjalti është i mbushur me antioksidantë që luftojnë radikalet e lira dhe mbrojnë lëkurën nga dëmtimet e ambientit. Ndihmon në reduktimin e rrudhave dhe vijave të mimikës, duke e bërë lëkurën më të butë dhe më rinore. Është një “makinë” anti-plakje natyrale.

7. Qetëson djegiet dhe ka veti shëruese
Mjalti i papërpunuar dhe ai i Manukës janë shumë efikas për shërimin e plagëve, djegieve dhe irritimeve. Disa studime tregojnë se mund të jenë më efektivë se disa kremra antibiotikë. Ai ndihmon në rikuperimin e lëkurës, redukton infeksionet dhe përshpejton procesin e shërimit, duke ushqyer indet dhe ulur dhimbjen.