I dashur G Bani,
Para se të kërkosh dashuri, mëso si ta thuash fjalën “grua” pa e zhytur në baltë. Nëse vërtet kërkon dashuri, përkushtim apo ndershmëri, ndoshta nuk është ide e mirë ta nisësh me “Të nderuara kurva”.
Nëse kjo është mënyra jote për të rënë në dashuri, s’është çudi pse përfundon gjithmonë i zhgënjyer.
Le t’i hyjmë "kontratës së dashurisë" sate, pikë për pikë:
1. "Nuk kam të ruajtura lek. As euro. As paund. As cash. As në bankë. As pasuri të patundshme."
E kuptuam, G Bani, nuk ke para. As lekë, as euro, as pasuri. As në bankë, as nën dyshek. Dhe s’është turp. Shumë njerëz s’kanë. Por pyetja është kujt i drejtohesh me këtë pohim? Sepse në thelb të kësaj deklarate, ka një akuza të heshtur. Dhe ajo akuzë është kjo: “ju doni lekë, unë nuk kam, ndaj mos u lodhni.”
Ti s’po i informon vajzat për gjendjen tënde po u tregon që mendon se ato janë aq të cekëta, sa s’kanë arsye tjetër për të qenë me ty, veçse nëse je xhepplot. Pra, në vend që të reflektosh për boshllëkun tënd personal, e mbështjell me patetizëm dhe ia ngarkon përgjegjësinë grave. Ky është një version modern i burrit që s’e bën dot për vete një grua, ndaj e akuzon që “ajo do vetëm para”.
2. "Jam i pa punë. Nuk marr rrogë."
Ok, puna nuk është gjithçka. Por as kjo nuk është kartë triumfi. Por a duhet të të duam për këtë? Sepse mënyra si e shkruan, na jep ndjesinë që kërkon simpati. S'po të kritikojmë që je pa rrogë, kjo i ndodh kujtdo. Por që e përdor këtë si paralajmërim romantik, është tjetër gjë.
Se nëse pas pikës 1 thua edhe këtë, po na duket që po kërkon një marrëdhënie dashurie që të vijë me bonus një kontratë punësimi.
3. "Nuk pi drogë. Të asnjë lloji."
Urime. Ky është minimumi i civilizimit, jo ndonjë tipar heroik që të vendos në piedestal. E njëjta vlen sikur të thuash “nuk ha njerëz” apo “nuk djeg makina për qejf”.
4. "Pi duhan."
Faleminderit për informacionin. Informacion totalisht i parëndësishëm, përveç nëse po kërkon ndonjë sponsor nga “Marlboro”.
5. "Jam xheloz. Shumë xheloz. Jo se ça ke qenë para meje. Po se ça je me mu'."
Kjo nuk është ‘sweet’. Është sinjal alarmi. Domethënë: “Do të kontrolloj, do të dyshoj, do të të bëj skena, por do ta quaj dashuri”. Ky është thjesht një mashtrimi sentimental që e shndërron gruan në pronë. Dhe mënyra si e nënvizon këtë si të ishte tipar romantik, është problematike. Shumë problematike.
6. "Nuk godas femër. Po arriti aty puna, më shpifesh dhe largohem."
SORRY, WHAT? Urime për vetëkontrollin, por jo, nuk je burri ideal që nuk rreh gruan. Thjesht nuk je kriminel.
Kjo nuk është arritje, është detyrim ligjor dhe moral. Dhe mënyra se si e thua “po arriti aty puna” është sikur po përgatit terrenin për ndonjë gjë që, për fat, s’e ke bërë ende.
7. "Po të bëra bllok për çështje xhelozie, dmth se të dua."
Në cilin univers është kjo një shprehje dashurie? Kjo është dashuri toksike, jo romantike. Dhe jo, blloku nuk është formë komunikimi.
8. "Po të putha në buzë dmth se të dua."
Jo domosdoshmërisht. Mund të jetë impuls. Mund të jetë pasion. Mund të jetë gënjeshtër. Mënyra si e paraqet, është sikur buzët e tua janë poligraf. Nuk funksionon kështu, dashuria është më shumë se një puthje me interpretim literal.
9. "Kur të dua nuk tradhtoj."
Po mirë bën. Edhe një herë, ky është standard bazë, jo virtyt i rrallë. Çfarë pret? Të shpallim festë kombëtare se s’je tradhtar kur dashuron?
10. "Kur nuk të dua, nuk them se të dua."
Duartrokitje për sinqeritetin. E kuptuam, je i ndershëm me veten. Por a është kjo një meritë për t’u mburrur?
Sepse më duket se po thua: “Kur s’kam ndjenjë, s’të mashtroj”, çka, në një marrëdhënie të ndershme, është themeli. Nëse për ty është kredencial, kjo tregon sa e varfër është panorama emocionale ku lëviz.
11. "Kur ndahemi, të mendoj shumë non stop ç’a do që të bëj. Ditën, natën, non stop."
Pa mendo pak: nëse e ke lënë një vajzë, dhe më pas mendon për të "non stop", nuk e bën këtë nga dashuria, por nga paaftësia për të lënë të shkojë diçka që nuk ke ditur si ta mbash.
Ka një emër kjo: obsesion, jo dashuri. Të mendosh dikë pa pushim nuk është provë për ndjenjë të thellë, por për mungesë stabiliteti.
12. "Disa herë më mban fiksimi vite, disa herë javë. E kam deri sa të kuptoj që nuk më don."
Këmbëngulja jote tingëllon më shumë si ndjekje pasive sesa ndjenjë e thellë.
Ti nuk po kërkon dashuri, G Bani, ti nuk ke bërë një listë kërkesash për një vajzë.
Ti ke shkruar një manual vetëjustifikimi për burrin që kërkon të dashurohet pa pjekuri, pa përpjekje, por me drama, paranoja dhe pasivitet emocional.
Ti po kërkon një grua që të të pranojë me gjithë mungesat që s’i ke përballuar kurrë, të të kuptojë, të të durojë, të të lexojë nën zë dhe të mos të kërkojë asgjë.
Faleminderit që e ndave. Uroj të lexosh me po aq vëmendje sa ke shkruar.