Në çastin kur Flavia Harizaj u shpall 'Miss Universe Albania 2025', ajo nuk mori vetëm një kurorë mbi kokë, por një përgjegjësi të madhe. Një përgjegjësi për të përfaqësuar më shumë se bukurinë, për të dhënë një mesazh të fuqishëm dhe për të treguar se bukuria e vërtetë lind nga brenda. 

E sapo shpallur 'Miss Universe Albania 2025', Flavia nuk është thjesht fytyra që do të shoqërojë flamurin tonë në skenën ndërkombëtare, ajo është zëri i një brezi që dëshiron të transformojë perceptimet dhe të ndërtojë ura mes ëndrrave dhe realitetit.

Flavia është 25 vjeçe, e rritur në Fier, dhe e përgatitur akademikisht në financë, por ëndrra e saj shkon shumë më larg. Me kauzë fuqizimin e grave dhe vajzave përmes edukimit financiar dhe pavarësisë ekonomike, për Flavian, kurora nuk është thjesht një simbol, por një platformë për të luftuar për kauzat që i ka afër zemrës.

Në këtë rrëfim të parë pas triumfit mes më të bukurave të Shqipërisë, Flavia na kujton që rruga e një Miss-i nuk është vetëm dritë dhe kamera, por punë, angazhim dhe guxim për të thyer heshtjen.

Në këtë intervistë do të zbulojmë më shumë nga Flavia si person, si vajzë që ëndërron, dhe si një grua që tashmë po ndërton një rrugë frymëzuese për shumë të tjera.


Në çastin që u shpalle 'Miss Universe Albania 2025', çfarë ndodhi brenda teje?

Ishte një moment që nuk ngjason me asnjë tjetër. Dëgjoja vetëm një zhurmë të largët dhe mendimet nuk shkonin më përmes logjikës, por përmes trupit. U mpiva nga emocionet. Si një ëndërr e vogël që del nga sirtari ku e ke mbajtur për vite, dhe më në fund merr ajër, dritë dhe kuptim.

Kur vendosën kurorën mbi kokën tënde, çfarë mendove?

“Më në fund, ajo që ëndërroje në heshtje u bë realitet.” Ishte një moment ku gjithçka që më kishte lënduar gjatë rrugës papritur u kthye në forcë. Dhe kuptova që ajo vajza e vogël brenda meje, që ëndërronte në dhomën e saj, kishte pasur të drejtë të mos heqë dorë.

Çfarë të frymëzon më shumë në jetë?

Ëndrrat e pamundura. Ato që fillimisht duken qesharake, të tepërta, të guximshme.

"Bukuria të hap shumë dyer", thuhet shpesh. Sa e vërtetë ka qenë kjo për ty?

Bukuria është si një pasaportë. E ke në dorë, por nuk të garanton kalimin. Ka dyer që të hap, dhe shumë të tjera që të përplasen në fytyrë nga paragjykimi. Bukuria më ka mësuar të jem dyfish më e vëmendshme ndaj mënyrës si flas, si mendoj. Sepse kur je "e bukur", njerëzit presin më pak nga truri yt. Dhe aty qëndron përgjegjësia, për të tejkaluar pritshmërinë.

Cilat janë tre tipare që, sipas teje, e bëjnë një vajzë Miss?

Do të thosha:
– Inteligjencë emocionale: të kuptosh veten dhe të tjerët, pa i gjykuar.
– Një kauzë për të cilën flet me zemër: pa këtë, çdo fjalë është zbukurim.
– Elegancë: sepse eleganca e vërtetë nuk është ajo që shfaqet, por ajo që lë gjurmë.

Kur ishe e vogël, çfarë ëndërroje të bëheshe? Dhe sa afër je sot me atë vajzë të vogël?

Nuk ëndërroja famë. Doja të dëgjohesha, të mos mbetesha në heshtje, të kisha një zë. Dhe tani më duket se po e bëj realitet. Përdor skenën jo vetëm për të qëndruar, por për të thënë diçka. Kështu që po, jam më pranë saj se kurrë.

A ka pasur ndonjë moment ku ke dashur të tërhiqesh? Çfarë të solli përsëri tek vetja?

Ka pasur shumë. Momente refuzimi, dyshimi, lodhjeje emocionale. Por gjithmonë rikthehem te pyetja: “Pse e nisa?” 

Kush është Flavias kur kamerat fiken?

Kam përfunduar studimet në Financë, një fushë që më ka formuar në disiplinë, logjikë dhe qartësi në vendimmarrje. Por përtej kësaj, unë jam një vajzë e thjeshtë, që e do jetën, njeriun, natyrën. Më pëlqen të udhëtoj, të mësoj, të eksploroj kultura të reja dhe të zhvilloj veten çdo ditë, jo vetëm si profesioniste, por edhe si qenie humane.

Si është një ditë e zakonshme për ty?

Dita ime nis herët. Unë jam partizane e rutinave: një mëngjes i qetë me pak muzikë, yoga ndonjëherë, pastaj angazhimet e ditës, që zakonisht përfshijnë punën me markat, përgatitje për evente apo trajnime të ndryshme. Një pjesë të rëndësishme zë palestra, pasi unë ushtroj shumë, minimalisht 4 herë në javë. Dhe falë palestrës kam kuptuar çfarë disipline të hekurt kam. Darkat zakonisht i kaloj me familjen, miqtë ose vetëm, duke praktikuar journaling. Para gjumit shkruaj mendimet, idetë apo falënderimet e ditës. Është një mënyrë për të qëndruar me këmbë në tokë.

Pas një dite të gjatë me fustane haute couture dhe buzëqeshje përpara kamerave, cili është “guilty pleasure”-i yt?

Pizhame të mëdha, Nutella direkt nga kavanozi, dhe Netflix.

Nëse do të zgjidhje një fjalë për këtë kapitull të jetës tënde, cila do të ishte?

"Rritje." Jo vetëm profesionale, por njerëzore. Në çdo sfidë kam gjetur diçka që më ka zbutur dhe një tjetër që më ka forcuar.

Çfarë do të thotë për ty të jesh zëri i Shqipërisë në një skenë globale?

Do të thotë të mbash mbi supe shekuj kulture, force dhe shpirt, jo thjesht një flamur. Është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Po aq sa edhe krenari.

Çfarë mesazhi do të doje t’u lësh vajzave që të shohin sot, ndoshta në heshtje, nga një cep i botës?

Mos prisni leje për të ndriçuar. Mos prisni kushte ideale. Filloni aty ku jeni, me atë që keni, dhe besoni se jeni mjaftueshëm. Jo kur të bëheni më të bukura, më të pasura, më të sigurta, por tani.

Cilin mit për vajzat shqiptare do të doje të çmontoje përgjithmonë?

Që jemi materialiste, të fiksuara pas pamjes, sipërfaqësore. Ne jemi shumëdimensionale, të shkolluara, të forta, të buta, strategjike dhe shpirtërore. Të gjitha njëherësh.

Cilat janë kauzat që do të mbështesësh si 'Miss Universe Albania'?

Kam disa kauza që më prekin. Së pari, fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave, sidomos në zonat rurale. Si një vajzë që ka studiuar financë, e di mirë sa rëndësi ka pavarësia ekonomike në mënyrën se si një grua ndërton jetën e saj. Dua të punoj për edukimin financiar të vajzave të reja, sepse kur njeh vlerën tënde, edhe jeta të përgjigjet ndryshe.

Së dyti, mbështetja për shëndetin mendor, sidomos te të rinjtë. Jetojmë në një kohë ku presioni është i madh, rrjetet sociale e deformojnë shpesh realitetin, dhe shumë ndihen vetëm. Dua të flas hapur për këtë temë, ta normalizojmë, ta pranojmë dhe të kërkojmë ndihmë pa turp. Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa çdo dimension tjetër i mirëqenies.

MOTOJA JOTE?

Mos ndalo kurrë së besuari tek vetja, edhe kur je e vetmja që e bën.
Sepse pikërisht atëherë fillon ndryshimi.