Masat për mbrojtjen e përdoruesve që shfrytëzojnë shërbimet në internet po shtohen çdo ditë e më shumë, dhe risia e radhës vjen nga Apple. Kompania e famshme ka njoftuar se në sistemin operativ të ardhshëm, iOS 26, aplikacioni FaceTime do të integrojë një funksion të ri që do të jetë në gjendje të bllokojë automatikisht një video-thirrje nëse zbulon përmbajtje me nudizëm.

Ky opsion nuk do të jetë i aktivizuar nga fillimi, por do të mund të ndizet nga vetë përdoruesi në parametrat e FaceTime, në seksionin “Paralajmërim për përmbajtje të ndjeshme”. Më konkretisht, përdoruesit do të mund të zgjedhin:
“Zbulo foto dhe video me nudizëm përpara se të shfaqen në pajisjen tënde dhe merr udhëzime që të ndihmojnë të bësh një zgjedhje të sigurt.”

Nëse FaceTime zbulon përmbajtje të tillë, në ekran do të shfaqet një mesazh paralajmërues:
“Audio dhe video janë në pauzë sepse mund të shfaqen përmbajtje të ndjeshme. Nëse ndihesh në siklet, mbyll thirrjen”, i shoqëruar me butonat për të vijuar ose për të ndërprerë menjëherë lidhjen.

Ende nuk është e qartë nëse kjo veçori do të kufizohet vetëm për llogaritë e fëmijëve apo do të mund të aktivizohet nga kushdo që dëshiron një filtër të tillë shtesë. Duke qenë se bëhet fjalë për një risi të zbuluar nga një version beta, nuk dihet nëse Apple do ta integrojë këtë funksion menjëherë me lançimin e iOS 26 apo më vonë.

Ndërkohë që FaceTime përgatitet për këtë risi, rrjetet sociale më të përdorura prej kohësh kanë vendosur mekanizma për të kufizuar shpërndarjen ose shfaqjen e imazheve të papërshtatshme.

Në Instagram, për shembull, përdoruesit mund të aktivizojnë filtrin që i bën të paqarta imazhet e ndjeshme në mesazhe private, përfshirë nudizmin. Ky opsion gjendet në:
Mesazhe dhe përgjigje në Story > Mbrojtja nga imazhet me nudizëm, ndërsa në:
Preferencat për përmbajtjen > Përmbajtje të ndjeshme, mund të përcaktohet niveli i përmbajtjes që shfaqet në seksionin Explore, Reels, Feed apo tek Hashtag-ët.

Edhe në platformën X (Twitter), përdoruesit mund të aktivizojnë automatikisht fshehjen e mediave të ndjeshme, përfshirë nudizmin. Ky opsion gjendet në:
Privatësia dhe siguria > Përmbajtja që sheh, ku mund të shënohet kutia “Shfaq përmbajtje potencialisht të ndjeshme”.