Parisi vishet me ngjyrat e kujtimit më 30 shtator, një datë me peshë emocionale për botën e modës: ditëlindja e Virgil Abloh, vizionarit që ndryshoi mënyrën se si shohim stilin, luksin dhe përkatësinë kulturore. Pikërisht atë ditë që shpesh përkonte me Javën e Modës në Paris hapet ekspozita “Virgil Abloh: The Codes”, një homazh i ndjerë ndaj një gjeniu që këtë vit do të mbushte 45 vjeç.
E organizuar nga Virgil Abloh Archive në bashkëpunim me Nike, ekspozita zhvillohet në Grand Palais, mbi një hapësirë prej 1.250 m², dhe përmban më shumë se 1.000 objekte shumë prej tyre të papublikuara më parë nga rreth 20.000 që arkiva ka në pronësi. Mes prototipeve, skicave, pamjeve, projekteve të papërfunduara dhe dizajneve që sfidojnë çdo rregull, vizitorët do të kenë mundësinë të hyjnë në laboratorin shpirtëror të Abloh, ku moda ndërthuret me muzikën, arkitekturën, grafikën dhe një filozofi të tërësishme jetësore.
E kuruar nga Chloe dhe Mahfuz Sultan, ekspozita vjen si vazhdim i projektit të nisur në Rubell Museum në 2022, por këtë herë në zemër të Parisit, qyteti ku Abloh la një gjurmë të pashlyeshme si drejtor kreativ i linjës menswear të Louis Vuitton, i pari me origjinë afro-amerikane që mbante një rol të tillë në një shtëpi luksi franceze.
Për gruan e tij, Shannon Abloh, që drejton arkivën, kjo nuk është vetëm një ekspozitë:
“Është një mënyrë për të ndarë trashëgiminë e Virgil-it me botën dhe për ta sjellë atë pranë komuniteteve krijuese që ai frymëzoi.”
“The Codes” nuk është thjesht një retrospektivë. Është një përvojë e gjallë dhe interaktive, që përfshin edhe workshop-e, biseda publike, performanca artistike dhe projeksione, ku figura të ndryshme nga komuniteti krijues ndërkombëtar do të reflektojnë mbi ndikimin që Abloh la në botë si artist, dizajner, mendimtar dhe frymëzim.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur vetëm deri më 10 tetor, si një flakë e shkurtër, por e paharrueshme – një metaforë e përsosur për një njeri që nuk pati kohë të shihte gjithë potencialin e vet të realizuar. Dhe siç thuhet në heshtje në fund të çdo salle të ekspozitës:
“Po të kishte jetuar më gjatë... çfarë tjetër do të kishte krijuar Virgil Abloh?”