Shtëpia e famshme e modës Dior ka zbuluar koleksionin më të ri për fëmijë, dhe është aq i ëmbël sa të rrëmben zemrën me një shikim. Koleksioni “Diorling” sjell një frymë të veçantë të stilit britanik të uniformave shkollore, por të interpretuar me atë sofistikimin klasik që vetëm Dior di të ofrojë.
Ky koleksion është një vazhdim i linjës së njohur të viteve ‘60, e cila mbante të njëjtin emër. Dizajnet ruajnë ndjesinë retro, me prerje të thjeshta dhe elegante, por të freskuara për vogëlushët e sotëm. Ngjyrat neutrale, xhaketat e strukturuara, fundet me pala dhe detajet e qepura me kujdes të japin përshtypjen e një elegance të përjetshme.
Stili “British school uniform” është kombinuar me elementë modernë për të krijuar një pamje të rehatshme dhe plot sharm. Përveç estetikës, koleksioni është menduar me kujdes për të qenë praktik për fëmijët, duke përdorur materiale cilësore, të buta dhe të qëndrueshme.