Një akt dhune i pashembullt është regjistruar në ambientet e një hoteli në qytetin e Vlorës, ku një kamerier vetëm 18 vjeç është dhunuar brutalisht nga një efektiv policie jashtë shërbimit dhe një person tjetër me precedentë penalë.
Incidenti ndodhi kur Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor në Vlorë dhe aktualisht pjesë e Policisë Kufitare në Dibër, së bashku me Leart Bimon, kanë filluar të përplasen me të riun për shkak të një shisheje uji që sipas tyre ishte sjellë gabimisht në tavolinën e tyre. Isufi është i pari që e ka prekur fizikisht kamerierin, ndërsa Bimo, i njohur për të kaluarën e tij kriminale, ka ndërhyrë më agresivisht duke e goditur disa herë.
Skena e dhunës ndodhi në prani të shumë klientëve, përfshirë edhe turistë të huaj, të cilët, të tronditur, janë larguar menjëherë nga ambientet e hotelit. Episodi ka krijuar panik dhe shqetësim edhe në radhët e stafit të hotelit.
Pas publikimit të ngjarjes, Policia e Shtetit ka reaguar duke njoftuar pezullimin e Ardian Isufit nga detyra e tij në Policinë Kufitare në Dibër. Në deklaratën zyrtare, theksohet se Isufi, ndonëse jashtë orarit të punës, është përfshirë në një episod dhune në një lokal në lagjen “Pavarësia 2” në Vlorë.
Ngjarja është përshkallëzuar më tej, duke përfshirë edhe një 53-vjeçar, pronar hoteli në të njëjtën lagje, si dhe një person tjetër. Aktualisht, Ardian Isufi ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Vetë kamerieri ka dëshmuar se konflikti nisi pasi shpjegoi se shishja shtesë e ujit ishte sjellë për shkak të një ngatërrimi të porosisë. Ai u ka kërkuar të mos ofendojnë, por pas kësaj dy burrat e kanë ndjekur dhe e kanë sulmuar me shuplaka dhe grushte.