Situata nga zjarret në vend vijon të mbetet kritike, ku gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar gjithsej 34 vatra zjarri në zona të ndryshme të Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht 17 vatra janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar plotësisht.
Në terren janë angazhuar 953 forca operacionale, 56 automjete zjarrfikëse, si dhe 5 helikopterë të Forcave të Armatosura dhe një avion “Canadair” italian, i vënë në dispozicion përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.
Ndër zonat më problematike mbeten Parkun Kombëtar i Lurës, ku zjarri është përhapur në drejtim të Fushës së Pelave dhe kahut lindor të Gurë-Lurës, me një shtrirje të konsiderueshme mbi zonën e Pllajës dhe mbi fshatin Sinë të Arrasit. Mbi 54 forca janë angazhuar në terren për përballimin e flakëve.
Në Zall Gjoçaj të bashkisë Mat, zjarri me një gjatësi prej më shumë se 14 km po përhapet në tre kahe të ndryshme, ku vijon puna intensive me mbi 100 forca të kombinuara.
Në Qafë Buall të Bulqizës dhe në Malin e Allushit në Klos, përpjekjet për shuarjen e flakëve po mbështeten nga ndërhyrja ajrore dhe nga afro 130 forca në terren.
Në Kalas të Delvinës, zjarri është përhapur nga territori i Himarës dhe ka zbritur pranë një lagjeje të fshatit. Janë evakuuar disa banorë dhe situata është vënë nën kontroll nga 75 forca të operacionit dhe helikopteri i FA.
Në Piqeras dhe Sasaj të Himarës, flakët u bënë kërcënuese për banesat gjatë natës. Evakuimi i banorëve dhe ndërhyrja nga ajri, përfshirë avionin “Canadair” dhe helikopterët e FA, kanë neutralizuar rrezikun.
Në fshatrat Fang dhe Kulme në Rrëshen, terreni i vështirë e pengon ndërhyrjen në disa pjesë, ndërsa situata në Kulme paraqitet më e qëndrueshme pas ndërhyrjes së afro 85 forcave.
Zjarre aktive ka gjithashtu në Dishnicë (Korçë), në Parkun e Prespës (Pustec), në Fushëbardhë e Skërficë (Gjirokastër), Dragobi dhe Shkëlzen (Tropojë), në Shëngjergj dhe Ibë (Tiranë), si dhe në Kuç të Vorës dhe Shetel të Shijakut, ku rreziku për banesat u shmang falë ndërhyrjes nga ajri.
Në Malësinë e Madhe, zjarri në Bjeshkën e Rahovicës mbetet aktiv dhe i vështirë për t’u vënë nën kontroll për shkak të terrenit të thyer dhe sipërfaqes pyjore të dendur.
Shtatë vatra të tjera janë aktualisht nën monitorim, përfshirë Livadhet e Peladhisë (Bulqizë), Shashicën (Vlorë), pyjet e Gurakuqit (Librazhd), malin Lisec (Gramsh), Strelcën (Maliq), Konisbaltën (Dimal) dhe zona të tjera.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), sot parashikohen reshje të dobëta në disa qarqe, por në pjesën më të madhe të territorit vijon të ketë kushte për rrezik të lartë zjarresh. Niveli i rrezikut është “i lartë” për qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa “i moderuar” në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë.