Në Spitalin Memorial të Fierit është realizuar me sukses kranioplastika e parë, një ndërhyrje e avancuar neurokirurgjikale që i ktheu shpresën për jetë një pacienti 75-vjeçar, pas një goditjeje të rëndë në tru.

Lajmin e jep kryeministri Edi Rama. Ai tha se pas 6 muajsh pritjeje dhe përkujdesje të vazhdueshme, pjesa e munguar e kraniotomisë iu vendos sërish pacientit, i cili tashmë ka dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

“Mirënjohje për ekipin mjekësor: Dr. Egemen Nursoy, Dr. Klaudio Disha, Dr.Hasan Bayindir, Dr. Holta Kraja, Dr. Xhesika Hoxha dhe infermieren Fjorida Ago”, shkruan ai.

Kranioplastika është një ndërhyrje kirurgjikale që kryhet për të riparuar ose zëvendësuar një pjesë të kafkës që është hequr ose dëmtuar si pasojë e traumave, operacioneve të mëparshme, tumoreve ose infeksioneve.

Gjatë kranioplastikës, neurokirurgu vendos një material mbushës për të mbuluar defektin në kafkë. Qëllimi është:

Të mbrojë trurin, që mund të jetë i ekspozuar pas heqjes së pjesës së kafkës;

Të rikthejë presionin normal brenda kafkës;

Të përmirësojë estetikën e kokës dhe funksionin neurologjik, pasi në disa raste mungesa e një pjese të kafkës mund të ndikojë në funksionin e.

Kranioplastika zakonisht kryhet disa javë apo muaj pas operacionit të parë (kraniektomisë), kur truri është stabilizuar dhe nuk ka rrezik për infeksion apo ënjtje.