Nëse mendoni se për të kaluar pushime të mrekullueshme në Europë duhet të boshatisni llogarinë bankare, është koha të mendoni ndryshe. Kontinenti ynë ofron një sërë destinacionesh të nënvlerësuara që kombinojnë pasuri kulturore, përvoja të paharrueshme dhe çmime të përballueshme.

Pikërisht për ata që duan të udhëtojnë me buxhet të kufizuar, ofruesi britanik i kartave të kreditit Aqua ka analizuar kostot mesatare të biletave vajtje-ardhje, qëndrimeve në hotel për një javë, ushqimit, pijeve dhe transportit lokal në qytete të ndryshme europiane. Nga kjo analizë është hartuar një listë me destinacionet më ekonomike për pushimet verore.

Në krye të listës qëndron Budapesti, kryeqyteti magjepsës i Hungarisë. Vetëm 83 £ për biletën e avionit vajtje-ardhje, rreth 536 £ për një javë në hotel për dy persona, vakte për më pak se 9 £ dhe birra me çmim mesatar vetëm 2.07 £. Edhe transporti publik kushton më pak se 1 £! Dhe ndërkohë që kurseni, mund të shëtisni buzë Danubit me pamje drejt Kalasë së Budës dhe ndërtesës së Parlamentit – një ndjesi vërtet mbretërore.

Dhe kjo nuk është e gjitha: Budapesti njihet për banjat e tij termale ikonike, siç është Rudas Baths, që daton që nga periudha otomane, mbi 500 vjet më parë. Me një tarifë të arsyeshme mund të shijoni pishina, sauna, banjë turke, vaskë të ftohtë dhe masazhe relaksuese. E nëse doni ta përmbyllni ditën në mënyrë të veçantë, darka në tarracën panoramike me pamje nga Danubi është një zgjedhje ideale.

Një tjetër arsye për të planifikuar pushimet në Budapest këtë vit është hapja e Time Out Market, një destinacion kulinar i cili do të sjellë gatimet më të mira të qytetit në një hapësirë të vetme moderne.

Destinacionet më të përballueshme verore në Europë sipas analizës së Aqua:

Budapest, Hungari
Pragë, Çeki
Costa del Sol, Spanjë
Porto, Portugali
Lanzarote, Spanjë
Lake District, Mbretëri e Bashkuar
Madrid, Spanjë
Blackpool, Mbretëri e Bashkuar
Tenerife, Spanjë
Forest of Dean, Mbretëri e Bashkuar