Komuniteti global i nomadëve dixhitalë ka kaluar shifrën e 40 milionë personave në vitin 2025, sipas DemandSage, një rritje prej 149% që nga viti 2019.

“Stili i jetesës si nomad dixhital është krijimi i një jete që ndërthur fleksibilitetin profesional me eksplorimin personal,” shpjegon Keith Spencer nga FlexJobs. Qytetet më tërheqëse për këtë mënyrë jetese ofrojnë lidhje të mirë interneti, kosto të ulëta jetese, kulturë të pasur dhe komunite për punonjësit në distancë.

Ai shton se për të bërë një zgjedhje tëmirë, duhen marrë parasysh edhe elementë si përputhshmëria e orës me klientët, infrastruktura, gjuha dhe aspektet tatimore. Sipas tij, jeta si nomad kërkon planifikim, stabilitet financiar dhe përshtatje, por liria që ofron tejkalon këto sfida.

Media amerikane Travel + Leisure ka përpiluar një listë me 10 destinacionet më të mira në Europë për nomadët dixhitalë, bazuar në përvojat e punonjësve në distancë dhe emigrantëve, dhe Tirana zë një vend të veçantë mes tyre.

Kryeqyteti shqiptar po ngjitet shpejt në hartën e destinacioneve më tërheqëse për punonjësit remote. Në krahasim me qytetet e mbipopulluara të Europës, Tirana ofron një kombinim unik të përballueshmërisë ekonomike, autenticitetit dhe energjisë urbane në zhvillim. Është një vend që po tërheq gjithnjë e më shumë profesionistë ndërkombëtarë, jo vetëm për çmimet e ulëta, por edhe për mikpritjen dhe stilin e jetesës që ofron.

Ajo që e bën Shqipërinë veçanërisht të favorshme është politika e saj e hapur ndaj shtetasve amerikanë: ata mund të qëndrojnë deri në një vit pa vizë, pa nevojë për aplikime apo dokumentacion shtesë. Pas kësaj periudhe, mund të aplikojnë për një leje qëndrimi, një proces që është relativisht i thjeshtë dhe mund të kryhet online.

Për nomadët që kërkojnë të vendosen për disa muaj apo më shumë, Tirana ofron gjithçka që u nevojitet: ambiente bashkëkohore për punë, kafene të shumta me internet të mirë dhe mundësi të shumta për të eksploruar brenda dhe përreth qytetit.

Ndërsa qytete të tjera europiane po përballen me rritje çmimesh dhe mungesë hapësirash të lira për banim, Tirana ofron një alternativë më të qetë dhe më të përballueshme për të njëjtën mënyrë jetese fleksibël. Kombinuar me një skenë kulturore në zhvillim, komunitet ndërkombëtar në rritje dhe infrastrukturë në përmirësim, ajo është kthyer në një pikë të nxehtë për nomadët dixhitalë që kërkojnë të punojnë në distancë pa sakrifikuar cilësinë e jetës.

Nëntë vendet e tjera që u renditën në listë

Madeira, Portugali

Me klimë të butë dhe një “fshat për nomadët dixhitalë” në Ponta do Sol, është një destinacion i strukturuar për punonjësit remote që duan komunitet dhe natyrë.

Kotor, Mali i Zi

Një qytet mesjetar me ritëm të qetë jete dhe pamje mahnitëse. Mali i Zi ofron leje njëvjeçare qëndrimi për të huajt.

Pistoia, Itali

Perlë e fshehur në Toskanë me lidhje të mira hekurudhore dhe atmosferë relaksuese. Italia ka vënë në zbatim një vizë të posaçme për nomadët dixhitalë.

Pragë, Çeki

Qytet me histori, jetë nate dhe çmime të arsyeshme. Nomadët dixhitalë mund të aplikojnë për licencë tregtare si profesionistë të lirë.

Bratislavë, Sllovaki

Qytet i vogël dhe i qetë, i pështatshëm për ata që kërkojnë fokus në punë pa shumë shpërqendrime.

Ljubljanë, Slloveni

E pastër, e sigurt dhe me shumë ambjente në natyrë për fundjava relaksuese, Ljubjana ofron leje qëndrimi për të vetëpunësuar.

Dubrovnik, Kroaci

I njohur për muret e lashta dhe pamjet nga Adriatiku. Kroacia ka vizë për nomadët dixhitalë që lejon qëndrime deri në 18 muaj.

Athinë, Greqi

Kombinon historinë me gjallërinë urbane. Qyteti ofron vizë për nomadët dixhitalë me të ardhura të mjaftueshme mujore.

Tallin, Estoni

Një nga pionierët në vizat për nomadët dixhitalë. Ofron infrastrukturë teknologjike të përparuar dhe kushte të mira për punë në distancë.

/ Travel + Leisure

Përktheu: Shqip.al