Është zyrtare: saga “Piratet e Karaibeve” po kthehet, por nuk është e sigurt nëse do të shohim përsëri Johnny Depp në rolin ikonik të Kapiten Jack Sparrow. Pas një periudhe të gjatë spekulimesh, producenti Jerry Bruckheimer sqaron për Entertainment Weekly se Depp do të marrë pjesë vetëm nëse pjesa e shkruar për të do t’i pëlqejë.
“Nëse i pëlqen mënyra se si është shkruar roli, mendoj se do të pranojë. Gjithçka varet nga ajo që është shkruar në skenar, siç e dimë të gjithë,” tha Bruckheimer, duke lënë ende të hapur mundësinë e rikthimit të aktorit.
Por pyetja e natyrshme që lind është: A mund të ketë “Piratet e Karaibeve” pa Jack Sparrow-in e çmendur që e bëri me famë botërore Depp?
Saga nisi në 2003 dhe u shndërrua shpejt në fenomen kinematografik, duke arkëtuar mbi 4.5 miliardë dollarë me pesë filma. Megjithatë, filmi i fundit nuk mori kritika dhe pritshmëri të larta, çka shtyu idenë e një reboot-i, ku detajet e rrëfimit dhe personazheve mbeten ende sekret.
Bruckheimer e ka thënë më parë me pasion: “Është një reboot, por nëse të varej nga unë, ai do të ishte aty. E dua shumë. Është një mik i çmuar dhe një artist i jashtëzakonshëm. Ai krijoi Kapitenin Jack. Nuk ishte vetëm në skenar; ai solli pjesë të Pepé Le Pew dhe Keith Richards. Kjo ishte interpretimi i tij unik i Jack Sparrow.”
Pa dyshim, “Piratet e Karaibeve” pa Jack Sparrow nuk do të kishte të njëjtin sharm. Fansat po presin me padurim të zbulojnë se çfarë do të sjellë kapitulli i ri.