Në një botë ku shpesh pritet që dikush tjetër të të hapë derën, Ledio Mjeda vendosi të ndërtonte të tijën. Pas diplomimit në juridik dhe një fillimi modest në një zyrë administrative, ai e kuptoi shpejt se rruga e zakonshme nuk ishte për të. Aty ku të tjerët shihnin vetëm kufizime, ai pa një mundësi: të sillte risi në një treg që ende nuk e kuptonte fuqinë e marketingut digjital.
Kështu lindi Netech360, një agjenci që nuk ofron thjesht shërbime, por ndërton ura mes bizneseve dhe klientëve, mes ideve dhe rezultateve reale. Me një filozofi të thjeshtë por ambicioze, ai krijoi një model pune “sartorial”, ku çdo strategji përshtatet mbi masën e klientit, duke u bërë i aksesueshëm për të gjitha bizneset, nga më të voglat tek më të mëdhatë.
Sot, pas një dekade, Ledio dhe ekipi i tij kanë ndërtuar një ekosistem modern, fleksibël dhe bashkëpunues, ku suksesi nuk matet vetëm me “like” apo shifra boshe, por me rritjen e vërtetë të bizneseve dhe me transformimin e tyre. Në këtë intervistë për Revista Class, ai rrëfen fillimet, sfidat, filozofinë e tij të punës dhe vizionin për të ardhmen e marketingut digjital.
Ti je diplomuar për drejtësi, por zgjodhe një rrugë krejt tjetër. Si erdhi ky devijim dhe kur kuptove se duhej të ndiqje pasionin për teknologjinë dhe komunikimin?
Pas universitetit fillova punë në një zyrë administrative, ku merresha me faturat digjitale. Duke bashkëpunuar me biznese të ndryshme në Itali, vura re vështirësitë e mëdha që kishin për të komunikuar dhe për të promovuar ofertën e tyre. Atëherë e kuptova që rruga ime e vërtetë nuk ishte juridiku, por teknologjia dhe komunikimi.
Në prezantimin tënd më the: kur askush nuk të hap derën, ndërtoje vetë. A mund të na tregosh një moment konkret nga jeta kur kjo filozofi të ka shtyrë të mos dorëzohesh?
Nuk më ka pëlqyer kurrë të pres nga dikush që të vendosë mbi fatin tim. Nëse pret që dikush të vijë dhe të japë atë që ti meriton, është gabim.
Je vetëm ti që mund të vendosësh mbi veten tënde. Unë kërkova punë në zyra të ndryshme për marketing, dhe askush s’ma dha mundësinë pasi nuk kisha eksperiencën e duhur.
Italia është një treg i vështirë, flasim për një treg me afërsisht 60 milionë banorë. Një popull antik që pikë referimi kanë letrat.
Pritja ishte e gjatë dhe pa sukses.
Asnjë kërkesë s’po vinte, aty vendosa të krijoj portën time.
Dhe sot, me modesti them që Netech360 s’është vetëm i imi, por është një mundësi e të rinjve që ëndërrojnë ashtu siç ëndërroja edhe unë dikur.
Marketingu online dhjetë vjet më parë ishte një terren i panjohur në Itali dhe rajon. Si të lindi ideja për të krijuar Netech360 dhe cilat ishin sfidat më të mëdha të atyre viteve?
Ishte një fushë krejtësisht e re. Shumë kompani mbështeteshin te furnitorë të ndryshëm, një për zhvillimin e faqes së internetit, një tjetër për dizajnin grafik dhe një tjetër për fushatat publicitare. Ky fragmentim krijonte mungesë vizioni dhe koherence. Unë vendosa të ofroj një qasje ndryshe, duke ndërtuar një model të integruar dhe të personalizuar. Sfida më e madhe ishte të bindja sipërmarrësit se marketingu online nuk ishte një shpenzim, por një investim.
Ke thënë se kompanitë përballeshin me konfuzion, duke pasur furnizues të ndryshëm për çdo nevojë. Si e ndryshove këtë logjikë me Netech360 dhe çfarë ofron sot që të dallon nga të tjerët?
Ne nuk shesim paketa standarde, por ofrojmë zgjidhje të personalizuara. Çdo kompani ka nevoja dhe objektiva të ndryshme, ndaj ne ndërtojmë strategji “su misura”, që përfshijnë gjithçka nga branding-u te web-i, nga rrjetet sociale te reklamat online, deri te pozicionimi në treg. Dhe këtë e bëjmë duke e bërë boten digitale të prekshme edhe për ata që deri pak kohë më parë mendonin se nuk mund ta përballonin.
Flisni shpesh për një qasje ‘sartoriale’. Çfarë do të thotë kjo në praktikë dhe pse është e rëndësishme të trajtosh çdo biznes si unik?
Nga përvoja ime, shumë ofrojnë paketa standarde, ku nuk mund të shtosh apo të heqësh asgjë, duke mbetur i kufizuar në korniza të ngurta. Ne, përkundrazi, kemi krijuar strategji të personalizuara, të menduara për t’iu përshtatur çdo klienti.
Shërbimi im nuk është një produkt gjenerik, por një zgjidhje që i shërben realisht klientit. Çdo kompani është e ndryshme, ndryshon produktin që shet, tregun ku operon dhe nevojat e saj specifike. Për këtë arsye, paketat standarde nuk funksionojnë, marketingu digjital kërkon një qasje më të thellë dhe të personalizuar.
Netech360 tashmë është bërë një ekosistem ku bashkëpunojnë agjenci, freelancerë e profesionistë. Si arritët ta ndërtoni këtë kulturë bashkëpunimi dhe çfarë e bën të suksesshme?
Kemi filluar të bashkëpunojmë me agjenci, freelancer-e dhe profesionistë, duke ndërtuar një rrjet të fortë kompetencash. Sot, çdo klient ka një person të vetëm referues që koordinon gjithë procesin, duke shmangur humbjet dhe komplikimet. Është një model fleksibël dhe modern, ku edhe ata që punojnë nga distanca gjejnë hapësirë për të u rritur dhe për të shkëmbyer ide. Nuk e konsideroj Netech360 si një “tortë vetëm timen”: besoj në vlerën e ndarjes (condivisione) dhe të bashkimit të forcave, edhe me zyrat e jashtme ose departamentet e brendshme të kompanive të strukturuara. Kjo na lejon të krijojmë një produkt të hapur, që mund të jetë fitimprurës pikërisht sepse mbetet i gatshëm të dëgjojë çdo zë, edhe atë më të voglin, dhe kështu arrin të gjenerojë vlerë reale.
Shumë agjenci digjitale flasin për shifra: klikime, ndjekës, like. Ju thoni se keni zgjedhur të flisni për rezultate konkrete. Si e mat suksesin e klientëve tuaj?
Numrat në rrjetet sociale kanë rëndësinë e tyre, por për ne mbeten një mjet dhe jo qëllimi. Filozofia jonë është e thjeshtë, çdo muaj zhvillojmë një takim me klientin për të analizuar objektivat reale të kompanisë dhe për të verifikuar nëse jemi në rrugën e duhur. Nuk kufizohemi vetëm te numri i ndjekësve apo like-ve, por diskutojmë mbi arritjet konkrete: më shumë klientë, më shumë mundësi, më shumë shitje. Suksesi i vërtetë është të shohësh një biznes të rritet dhe të transformohet falë një strategjie të ndërtuar su misura.
E përshkruan veten si dikush që nuk është dorëzuar kur askush nuk besoi. Si të ka formuar ky mentalitet në udhëtimin profesional?
Ishte vendimtar. Mësova se kur nuk gjen një rrugë përpara, duhet të kesh guximin ta ndërtosh vetë. Ky qëndrim më ka lejuar të kapërcej momente të vështira dhe të besoj në idetë e mia, edhe kur dukeshin tepër ambicioze. Kuptova se rezitenca (Durim dhe vendosmëri) ka më shumë rëndësi se talenti, të mos dorëzohesh shndërron çdo pengesë në një mësim dhe çdo mësim në një hap përpara drejt qëllimit.
Si e sheh të ardhmen e marketingut digjital në Shqipëri dhe rajon? Cilat janë trendet që do të ndryshojnë lojën në 5–10 vitet e ardhshme?
Mendoj se do të përjetojmë një evolucion shumë të shpejtë. Inteligjenca artificiale, automatizimi dhe hiper-personalizimi do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si kompanitë komunikojnë. Në Itali, por edhe në Ballkan, ai që do të dijë të përshtatet i pari do të ketë një avantazh të madh.
Çfarë këshille do t’u jepje të rinjve shqiptarë që ndodhen sot në një udhëkryq, mes rrugës së sigurt dhe ëndrrës së tyre të rrezikshme?
Do t’u thosha të rinjve shqiptarë të besojnë gjithmonë tek vetja, edhe kur rruga duket e vështirë. Ata që ëndërrojnë, shohin më larg se ata që thjesht shikojnë. Mos dëgjoni ata që thonë se ëndrra juaj është shumë e madhe, ata thjesht nuk e shohin dot atë që shihni ju. Suksesi nuk vjen nga fati, por nga puna e vazhdueshme dhe këmbëngulja. Edhe nëse rrëzoheni, mos harroni, dështimi nuk është fundi, është vetëm një hap drejt rritjes. Në jetë nuk ka rëndësi gjithmonë kush mbërrin i pari, rëndësi ka kush guxon të ecë deri në fund.