Galeria e Arteve në Tiranë hap dyert për një ekspozitë që flet me gjuhën e kujtesës, identitetit dhe transformimit urban. Artist i njohur ndërkombëtarisht, Dastid Miluka, prezanton koleksionin e tij më të fundit me titull “Genius Loci”, një homazh i thellë për shpirtin e vendit, të përqendruar në Tiranën, qytetin e lindjes së tij.
Nëpërmjet një gjuhe poetike dhe kompozimesh simbolike, Miluka ndërton një hartë emocionale të kryeqytetit, ku kujtimet e fëmijërisë dhe realiteti bashkëkohor takohen. Figura femërore, të pranishme në shumë nga veprat, shfaqen si muza dhe mbrojtëse të shpirtit të qytetit, duke mishëruar butësinë, qëndresën dhe bashkëjetesën. Ndërkohë, figura të historisë kombëtare, si Skënderbeu, nuk paraqiten thjesht si ikona të së shkuarës, por si prani të gjalla që shoqërojnë ritmin e përditshëm të jetës urbane.
Ekspozita është një himn vizual për kontrastet dhe harmonitë e Tiranës: gjelbërimi që përqafohet me ndërtime të reja, shtigje të qeta që ecin pranë bulevardeve plot zhurmë, dhe fijet e padukshme që lidhin njeriun me vendin. “Genius Loci” fton vizitorët të ecin nëpër qytet jo vetëm si shikues, por si bartës të shpirtit të tij.
Dastid Miluka, i lindur në Tiranë më 15 shtator 1974, jeton dhe punon në Bruksel që prej vitit 2003. Formimin e tij artistik e nisi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për ta vijuar më pas në Universitetin e Arteve në Tiranë, në degën e skenografisë dhe kostumografisë.
Krijimtaria e tij njihet për ndërthurjen mes ëndrrave të fëmijërisë dhe zbulimeve të moshës së rritur. Pikturat e Milukës shpesh krijojnë një teatër ku realiteti dhe fantazia hyjnë në një lojë të përhershme të fsheh-e-gjeje. Bota kontrastuese e ngjyrave të pasura, dritës dhe lëvizjes e shndërron çdo vepër në një hapësirë ku nostalgjia dhe moderniteti dialogojnë.
Pas gati dy dekadash aktiviteti artistik në Belgjikë, Francë dhe Holandë, kthimi i tij në Tiranë me këtë ekspozitë shënon jo vetëm një rikthim në rrënjë, por edhe një ftesë për publikun shqiptar që të përjetojë qytetin me një sy tjetër, atë të artit që frymon bashkë me vendin.