Selena Gomez ka folur hapur për përjetimet e saj të vështira me komentet e vazhdueshme mbi trupin dhe peshën, duke treguar se si këto i kanë shkaktuar vite pasigurie dhe trazira të brendshme.

“Jam përballur gjatë gjithë jetës me probleme që lidhen me peshën, dhe kjo është një temë ndaj të cilës jam shumë e ndjeshme,” tha këngëtarja 33-vjeçare për Allure.

Ajo shpjegoi se për të përballuar këto mendime dhe pasiguri përdor terapi dialektike të sjelljes (DBT), një formë terapie e fokusuar tek ata që përjetojnë emocionet në mënyrë të thellë dhe intensive.

“Një person më tha që isha e shëndoshë dhe ajo më lëndoi. Pse ndjeva kaq shumë dhimbje nga një koment i tillë? Këtu më ndihmon terapia, më bën të analizoj pse prekem,” tregoi Selena.

DBT, sipas saj, është si të heqësh shtresa një nga një derisa të kuptosh rrënjën e problemit. “Tani e kuptoj që kjo ndjesi lidhet me një periudhë kur po përballesha me probleme shëndetësore dhe kisha shtuar peshë.”

Këngëtarja shtoi se terapistët shpesh i japin “kartela të vogla” me pyetje që mund t’i përdorë sa herë ndjen emocione të forta, për ta ndihmuar të mos humbasë kontrollin. “Duhet të jesh gati të punosh me veten, dhe kjo është pjesa më e vështirë,” pranoi ajo.

Selena e ka ndarë publikisht edhe diagnozën e saj me çrregullim bipolar në vitin 2020, duke e përshkruar si një “peshë që më ra nga shpatullat” sepse i shpjegoi shumë nga vështirësitë e saj. Ajo ka treguar më parë se ka luftuar edhe me depresionin dhe ankthin.

Në vitin 2014 u diagnostikua me lupus, që e detyroi të kryente një transplant veshke dhe kimioterapi. Ilaçet e saj shpesh i shkaktojnë luhatje të peshës, një arsye pse përballet shpesh me kritika mbi pamjen.

“Kur i marr, trupi mban shumë ujë dhe shtoj peshë. Kur i ndërpres, e humbas. Është normale. Por unë zgjedh të jem e shëndetshme, sepse ilaçet më mbajnë gjallë dhe më japin forcë,” shpjegoi ajo në një live në TikTok vitin e kaluar.

Ajo theksoi gjithashtu se nuk ka synim të duket si modele. “Nuk jam modele dhe nuk do jem kurrë,” tha Selena, pasi komentuesit kishin gjykuar pamjen e saj në Golden Globes 2023, ku u shfaq me një fustan të Valentino-s. “Jam pak më e shëndoshë tani sepse shijova pushimet… dhe sinqerisht, nuk më intereson,” tha ajo me të qeshura.

Edhe më herët, në prill 2022, ajo i ishte përgjigjur hapur kritikëve: “Jam perfekte ashtu siç jam.” Në një video me humor në TikTok, tregoi se sapo kishte ngrënë tacos, vezë, qepë të skuqura dhe një sanduiç me pulë pikante. “Po përpiqem të rri e dobët, por në fund s’më intereson fare, sepse njerëzit gjithsesi do ankohen.”