Regjisori dhe aktori i njohur, Justin Baldoni, është përfshirë sërish në një skandal të ri, ndërkohë që vazhdon beteja e tij ligjore me aktoren hollywoodiane Blake Lively.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, një person (emri i të cilit nuk është bërë publik) ka dorëzuar të hënën një padi ku pohon se ka pasur “interaksione të përsëritura dhe negative me Baldonin dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë edhe abuzime verbale nga vetë ai”.
Paditësi pretendon se për këto arsye, 41-vjeçarit iu ndalua pjesëmarrja në shumicën e xhirimeve të filmit It Ends With Us, ndërsa ekipi kishte kërkuar që ai të mos përfshihej as në marketing apo marrëdhënie me publikun.
Një burim për TMZ ka treguar se ky person pritet të dëshmojë kundër Baldonit në gjyqin për ngacmim seksual që Blake Lively ka ngritur ndaj tij, proces që do të nisë në mars 2026 në Nju Jork.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, Lively e paditi Baldonin duke e akuzuar për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit. Baldoni i ka mohuar kategorikisht akuzat.
Në janar, aktori i Jane the Virgin u kundërpërgjigj duke ngritur një padi prej 400 milionë dollarësh ndaj Lively-t, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe publicistes së tyre, duke i akuzuar për shpifje dhe shantazh. Por kjo padi u hodh poshtë nga gjykata në qershor.
Dokumentet e fundit gjyqësore tregojnë se Lively kërkon që Baldoni të paguajë shpenzimet ligjore dhe dëmshpërblime për atë që ajo e quan “padi të pabazë”.
Emra të tjerë të njohur janë përfshirë në këtë çështje. Në maj, këngëtarja Taylor Swift u thirr me urdhër gjykate si dëshmitare, gjë që ndikoi edhe në miqësinë e saj me Lively, sipas burimeve pranë yllit të popit. Baldoni më vonë tërhoqi urdhrin ndaj saj.
Ndërkohë, aktorja e re Isabela Ferrer ka akuzuar gjithashtu Baldonin për presion të vazhdueshëm lidhur me dëshminë e saj, akuzë që avokatët e tij e kanë mohuar duke deklaruar se kanë komunikuar vetëm në mënyrë zyrtare përmes përfaqësuesve ligjorë.
Skandali, i cili përfshin emra të mëdhenj të kinemasë dhe muzikës, duket se do të vazhdojë të dominojë titujt e mediave deri në fillimin e gjyqit në pranverën e ardhshme.