Një vit pas divorcit të shumëpërfolur, Jennifer Lopez dhe Ben Affleck kanë arritur atë që shumë ish-çifte të famshme e shohin si të pamundur: të mbeten miq.

Sipas një raporti të ri për People, marrëdhënia mes tyre është e qëndrueshme dhe e shëndetshme, pavarësisht se nuk janë më bashkë. “Gjërat mes Ben dhe Jennifer janë mirë, edhe pse nuk janë më çift,” – tha një burim i afërt me ta.

Divorci u finalizua në shkurt 2025, vetëm gjashtë muaj pasi Lopez kishte paraqitur kërkesën për ndarje. Dokumentet zyrtare tregojnë se çifti e kishte mbyllur kapitullin bashkëshortor në prill 2024.
Megjithatë, siç e kanë theksuar të dy, prioriteti i tyre mbetet i pandryshuar: fëmijët.

Lopez është nënë e binjakëve 17-vjeçarë, Emme dhe Max, ndërsa Affleck ka tre fëmijë nga martesa me Jennifer Garner Violet (19), Seraphina (16) dhe Samuel (13). Fëmijët, sipas burimeve, kanë mbajtur lidhje të ngushta: ndajnë të njëjtat shoqëri, takohen shpesh dhe komunikojnë vazhdimisht.

“Jennifer ka qenë gjithmonë një nënë e përkushtuar dhe u ka dhënë fëmijëve të Ben-it të njëjtin kujdes e dashuri si të sajët,” – thotë një tjetër burim.
Ndërkohë, Affleck e ka cilësuar publikisht ish-bashkëshorten si një “person spektakolar” dhe ka treguar mirënjohjen e tij për mënyrën si ajo ka ruajtur marrëdhënien e ngrohtë me fëmijët e tij.
“Unë i dua fëmijët e saj. Janë të mrekullueshëm. Marrëdhëniet që krijon me fëmijët janë gëzimi i jetës sime,” – është shprehur ai.

Vetëm pak ditë më parë, Lopez u pa duke bërë shopping në Beverly Hills me Samuel, djalin më të vogël të Affleck, duke treguar edhe një herë se kufijtë e familjes së tyre të zgjeruar janë fluidë, por të shëndetshëm. Po ashtu, në prill, Affleck mori me vete fëmijët e Lopez-it në premierën e filmit të tij “The Accountant 2”, një gjest që konfirmoi se respekti i ndërsjellë i tejkalon ndarjen martesore.

Një vit pas divorcit, ajo që mbetet mes Lopez dhe Affleck nuk është vetëm kujtimi i një romance hollivudiane që elektrizoi botën, por një marrëdhënie e pjekur, e ndërtuar mbi dashurinë për fëmijët dhe respektin reciprok. Në një Hollywood ku dramat shiten më shumë se realitetet, ata kanë zgjedhur të tregojnë se edhe fundet mund të shkruhen me dinjitet.