Në gjysmën e parë të këtij viti, tregu i pasurive të paluajtshme ka shënuar një rritje të ndjeshme, me çmimet e pronave që janë shitur mesatarisht 41.7% më shtrenjtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Indeksi i çmimeve të banesave në rang vendi ka shënuar një rritje 14.6% në terma gjashtëmujorë, duke e bërë këtë periudhë një nga më dinamike në dekadën e fundit.

Rritja më e fortë e çmimeve është regjistruar në zonën e Tiranës, ku kërkesa për banesa ka qenë dukshëm më e lartë. Në shumë raste, çmimi i blerjes ka mbetur i pandryshuar ose deri në 5% më i ulët se ai i kërkuar nga shitësit, duke treguar një diferencë të ngushtë negociatash mes palëve.

Sa i përket kohës mesatare të nevojshme për shitjen e një prone, ajo ka shënuar zgjatje në rang vendi duke arritur në 11.6 muaj nga 9.3 muaj më parë. Në Tiranë, koha mesatare e shitjes është rritur ndjeshëm në 11.1 muaj nga 7.1 muaj, ndërsa në zonat bregdetare është ulur në 8.7 muaj, çka tregon një interes të lartë për pronat pranë detit.

Edhe qiratë kanë njohur një tendencë rritëse, të nxitura nga kërkesa gjithnjë e më e lartë për marrje me qira, sidomos në kryeqytet. Ky faktor po ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin e tregut, ku agjentët raportojnë se gjithnjë e më shumë individë preferojnë qiradhënien si alternativë përballë rritjes së çmimeve të shitjes.

Në pjesën më të madhe të transaksioneve, financimi është mbështetur nga kreditë bankare. Rreth 58% e pronave për banim dhe përdorim tregtar janë blerë përmes huave, ndërsa në 62% të këtyre rasteve, kreditë kanë mbuluar deri në 60% të vlerës së pronës.

Një element tjetër me ndikim është edhe pjesëmarrja e blerësve të huaj. Gjatë këtij gjashtëmujori, 15% e pronave të shitura janë blerë nga shtetas jorezidentë, një shifër disi më e ulët krahasuar me 18% të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.