Victoria Beckham ka ndarë me humor disa detaje nga jeta e saj bashkëshortore me David Beckham. Gjatë një interviste për The Sun, në kuadër të promovimit të dokumentarit të saj në Netflix, “Victoria Beckham”, ajo foli për rutinën e tyre të natës dhe për një zakon që, sipas saj, “e bën Davidin më pak perfekt”.

“Po, është padyshim shumë i pashëm, inteligjent, i suksesshëm dhe plot humor,” – tha ajo me buzëqeshje,  “por ka një problem: ai gërhet!”

Victoria pranoi se për të përballuar gërhitjen e ish-futbollistit, përdor tapat e veshëve çdo natë. “Nuk janë për stil, besomëni,” – u shpreh ajo me të qeshur. “Janë të domosdoshme. Edhe burri im, që duket kaq perfekt, gërhet. Duhet t’i vendos tapat.”

Përveç kësaj, Beckham tregoi se mbrëmjet e tyre janë mjaft të qeta: ajo vendos maskën LED për fytyrën, dëgjon podkaste me David-in ose shohin ndonjë serial bashkë. Dhe, me shaka, shtoi:
“Lexoj shumë romane thriller në shtrat, kështu që… David Beckham duhet të flejë me një sy hapur!”

Çifti, që ka 26 vite martesë, u shfaq së fundmi në premierën e dokumentarit në Londër, ku Victoria shkëlqeu me një veshje të bardhë elegante, ndërsa David zgjodhi një kostum klasik të zi. Të pranishëm ishin edhe tre nga fëmijët e tyre  Romeo, Cruz dhe Harper ndërsa djali i madh, Brooklyn, mungoi për shkak të raportimeve për një tension të vazhdueshëm mes familjes dhe bashkëshortes së tij, Nicola Peltz.