Angelina Jolie ka rrëfyer publikisht sa e dhimbshme ishte ndarja nga Brad Pitt, duke e përshkruar si “një periudhë emocionalisht të vështirë” për të dhe për fëmijët e tyre.

Në dokumentet e reja gjyqësore të depozituara në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit, në kuadër të betejës ligjore që ish-çifti vazhdon për pronën e tyre në Francë, Château Miraval, aktorja 50-vjeçare rrëfen për herë të parë ndikimin emocional dhe financiar që pati ndarja me Pitt.

“Ngjarjet që më çuan drejt vendimit për t’u ndarë nga ish-bashkëshorti im ishin emocionalisht të vështira për mua dhe për fëmijët tanë,” shkruan Jolie, e cila më herët ka akuzuar Pitt për sjellje abuzive.

Aktorja shton se, menjëherë pas divorcit, ia la në kontroll Pitt-it të gjitha shtëpitë familjare në Los Anxhelos dhe në Miraval, “pa asnjë kompensim”, në shpresë se ky gjest do ta qetësonte pas periudhës “të vështirë dhe traumatike” që kishin kaluar.

Jolie, e cila është nënë e gjashtë fëmijëve Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakëve Knox e Vivienne ka deklaruar se ajo dhe fëmijët “nuk kanë shkelur më kurrë” në pronën e Miravalit që nga ndarja, për shkak të lidhjes emocionale që ajo ka me atë vend.

“Miraval ishte një nga investimet tona të para të mëdha dhe një pjesë e rëndësishme e jetës sonë familjare. U martuam atje, kalova pjesë të shtatzënisë sime atje dhe solla në shtëpi binjakët nga spitali. Ishte shumë e vështirë të shkëputesha papritur nga një vend me kaq kujtime.”

Aktorja e “Maleficent” zbulon se pas ndarjes u përball me vështirësi financiare. Ajo nuk kërkoi alimentacion apo mbështetje ekonomike nga Pitt, por për shkak se kursimet e saj ishin “të lidhura me Miravalin”, u detyrua të shiste pjesën e saj në pronë diçka që Pitt e kundërshton, duke e paditur për shitje pa miratimin e tij.

Në dokumente, Jolie pranon gjithashtu se, pas ndarjes, nuk kishte mundësi të blinte një shtëpi në Los Anxhelos “me pagesë të plotë”, dhe se Pitt i kishte dhënë një huá me interes për të siguruar strehim për fëmijët.

“Isha shumë e shqetësuar për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë, ndaj për rreth dy vjet refuzova çdo angazhim profesional që të mund të isha pranë tyre.”

Në dokumentet e fundit, Jolie kërkon që Pitt të paguajë 33 mijë dollarë për tarifat ligjore që ajo është detyruar të mbulojë për t’iu përgjigjur kërkesës së tij për dorëzimin e disa mesazheve private rreth çështjes së Miravalit.

Sipas avokatëve të saj, Jolie i kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur Pitt-it që të tërhiqte këtë kërkesë, duke e paralajmëruar se në të kundërt do të kërkonte kompensim gjyqësor.