Dukesha e Sussex-it, Meghan Markle, dhe bashkëshorti i saj, Princi Harry, duket se po përgatisin një plan sekret për të zbutur marrëdhëniet me familjen mbretërore britanike. Sipas raportimeve të Daily Mail, misioni i tyre quhet “Project Thaw” që në përkthim do të thotë “Projekti Shkrirje”.

Sipas gazetarit britanik Richard Eden, që ka publikuar detajet në Daily Mail, Meghan po përpiqet të përmirësojë imazhin e saj ndaj britanikëve dhe familjes mbretërore përmes paraqitjeve publike të kujdesshme si ajo e fundit në Javën e Modës në Paris.

“Pjesëmarrja e Meghan në Paris Fashion Week ishte pjesë e planit për t’u afruar me establishmentin,” – shkruan Eden, duke shtuar me ironi: “Çfarë mund të jetë më mirë se fotografitë e saj duke përqafuar figurat e modës evropiane dhe madje edhe vetë Anna Wintour?”

Në anën tjetër, Princi Harry, 41 vjeç, ka bërë hapa të parë drejt ribashkimit me familjen. Muajin e kaluar ai zhvilloi disa angazhime bamirësie në Britani dhe sipas burimeve u ftua për çaj me Mbretin Charles në rezidencën Clarence House, pas gati 19 muajsh pa kontakt të drejtpërdrejtë me të atin.

Eden shkruan se ky takim ka ndikuar në planin e tyre për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të përgatitur terrenin për një vizitë të përbashkët në Britani para fundit të vitit.

“Projekti ‘Thaw’ synon të shkrijë armiqësinë, duke u mbështetur në suksesin e perceptuar të vizitës së fundit të Dukës në Mbretëri,” – shkruan gazetari.

Gjatë një interviste për The Guardian, Harry pranoi se dëshiron të rikthehet në vendlindje me Meghan dhe fëmijët e tyre, Princin Archie (6) dhe Princeshën Lilibet (4), edhe pse humbja e privilegjeve të sigurisë mbretërore e ka bërë situatën të ndërlikuar.

Një burim pranë çiftit tha për Daily Mail se Meghan do të vizitojë Britaninë para fundvitit, madje “duke mbajtur me vete një tortë përulësie” një shprehje britanike që nënkupton gatishmëri për të kërkuar falje.

Kujtojmë që Meghan dhe Harry u tërhoqën nga detyrat mbretërore në vitin 2020, duke u larguar drejt SHBA-së dhe duke bërë më pas deklarata të bujshme kundër familjes Windsor, përfshirë intervistën me Oprah Winfrey dhe kujtimet e Harry-t në librin “Spare” (2023).