George Clooney është më i lumtur se kurrë që po rrit dy fëmijët e tij në jug të Francës, larg dritave të industrisë së filmit.

Që prej vitit 2021, ai dhe bashkëshortja e tij, juristja e njohur Amal Clooney, janë pronarë të Domaine du Canadel, një rezidencë madhështore në Brignoles, rajoni i Var-it, Francë. Me binjakët e tyre, Alexander dhe Ella, të lindur në vitin 2017, çifti ka zgjedhur një mënyrë jetese krejt ndryshe nga ajo e Hollywood.

Në një intervistë për revistën Esquire, aktori 64-vjeçar tregon se kjo zgjedhje ka qenë ndër më të mirat që ka bërë ndonjëherë:

“Jemi shumë me fat. Jetojmë në një fermë në Francë. Kam kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë në një fermë, dhe atëherë e urreja. Por për ta [fëmijët], është gjë shumë e mirë: nuk janë gjithë kohës në iPad, hanë darkë me të rriturit dhe duhet të pastrojnë tavolinën. Kanë një jetë shumë më të shëndetshme. Kisha frikë t’i rrisja në Los Anxhelos, në kulturën e Hollywood më dukej sikur s’do të kishin asnjëherë mundësinë e tyre reale në jetë. Në Francë, njerëzit s’janë të fiksuar pas famës. Nuk dua që fëmijët e mi të shqetësohen për paparacët apo të krahasohen me fëmijët e njerëzve të famshëm.”

Në pronën e tyre me më shumë se 100 hektarë vreshta dhe ullishte, Ella dhe Alexander ndjekin babain e tyre teksa ai nget traktorin ose merret me punët e fermës. Në pranverë, siç tregon Clooney me humor, ndihmuan për të lyer gardhin e fermës me vaj mbrojtës ndaj diellit.

“U thashë: ‘Jo, lyejeni vërtet atë gardh!’ dhe u zhytën të mbuluar me bojë, vaj dhe gjithë çfarë mund të gjendej,” – kujton ai duke qeshur.

Në qetësinë e jetës franceze, George Clooney mund të jetë një baba si të gjithë të tjerët madje edhe të marrë pjesë në turne basketbolli në shkollën fillore të fëmijëve.

“Ishte ndeshje 6 kundër 6 në fushë të plotë, kushdo mund të humbte një dhëmb,” – shkruan Esquire, duke treguar se Clooney luajti gjithë lojën pa pushuar, ndërsa baballarë më të rinj ndalonin për të marrë frymë.

Edhe pse jeta e tyre duket e zakonshme, aktori pranon se fakti që fëmijët e tij do të jenë “përgjithmonë fëmijët e dy prindërve të famshëm” e shqetëson. Me humor, ai shton:

“I vetmi fat është që jam aq i vjetër se djali im, saqë kur ai të ketë bërë ndonjë gjë të madhe, unë do jem duke ngrënë vetëm qull.”

Në Brignoles, Amal dhe George Clooney janë bërë pjesë aktive e jetës komunitare. Ata po financojnë ndërtimin e një ferme komunale që do të furnizojë mensat shkollore me produkte të freskëta dhe cilësore. Kryetari i bashkisë, Didier Brémont, i ka treguar televizionit TF1 se ideja lindi gjatë një darke me aktorin:

“George më tha: ‘Të ndihmoj në këtë nismë, dua të angazhohem për fëmijët dhe ushqimin e shëndetshëm’. Kështu vendosëm ta realizojmë projektin së bashku.”

Clooney ka dhuruar gjithashtu 20 mijë euro për të ndihmuar viktimat e përmbytjeve të vitit 2021.

Sipas revistës AD, prona e çiftit ka një sipërfaqe prej 900 metrash katrorë, përfshin 172 hektarë tokë, një kopsht francez luksoz, pishinë dhe liqen, dhe vlerësohet me më shumë se 8 milionë euro.

Larg zhurmës së Hollywood, George Clooney ka gjetur paqen e vërtetë, duke u përqendruar në jetën familjare, në natyrë dhe në rritjen e fëmijëve që nuk ndjekin famën, por rrënjët.