
Nga Vogue, përktheu Revista Class
Në rrjetet sociale, mjafton që dikush të thotë “i dashuri im…” dhe ndjekësit e mbyllin menjëherë zërin. Duket sikur jemi lodhur nga vajzat që një ditë flasin për veten dhe tjetrën ditë kthejnë çdo postim në “përmbajtje rreth të dashurit”. Por kjo reagim nuk vjen nga urrejtja për dashurinë është një lodhje nga “Boyfriend Land”, siç e quajnë disa: një realitet ku identiteti i vajzës online rrotullohet rreth partnerit të saj, diçka që rrallë ndodh në anën tjetër.
Dikur, gratë vlerësoheshin për aftësinë për të “gjetur e mbajtur” një burrë. Ishte një status shoqëror, një trofe sentimental e madje një formë fitimi kur kjo shfaqej në rrjete. Por tani gjithçka po ndryshon. Në vend të “hard launch”-eve të dashurisë, femrat publikojnë shenja delikate një dorë mbi timon, një gotë vere për dy, ose një siluetë të paqartë në sfond. Ka edhe më tej: dasma me fytyra të partnerëve të turbullta, ose video ku bashkëshorti është prerë nga çdo kornizë. Një mënyrë e re për të thënë: “Po, ekziston, por nuk dua të më përcaktojë.”
Pse ndodh kjo? Sepse, siç duket, shumë gra nuk duan të duken si “të dashura tipike”, të varura pas burrit, por as nuk duan të humbasin avantazhin shoqëror që sjell një marrëdhënie. Siç e shpjegon aktivistja Zoé Samudzi:
“Ato duan shpërblimin e partneritetit, por e kuptojnë se tashmë të qenit ‘e dashuruar’ është bërë diçka… shumë ‘normale’.”
Por përveç perceptimit publik, ekziston edhe frika e “syrit të keq”. Disa besojnë se lumturia e ekspozuar tërheq energji negative, të tjera thonë se nuk duan të mbeten me postime të vjetra pas ndarjes. Një vajzë 38-vjeçare e tha hapur:
“Kam qenë 12 vjet në një lidhje dhe nuk kam postuar asnjëherë. Burrat të turpërojnë edhe pas një dekade, ndaj pse t’i ‘reklamosh’?”
“Të kesh të dashur” = “Të jesh e mërzitshme”?
Në podkastin Delusional Diaries, dy influencere nga New Yorku pyesin: “A është ‘turp’ të kesh të dashur sot?”
Komentet ishin të pafundme:
“Pse duket sikur të kesh të dashur është gjë republikane?”
“Të dashurit janë ‘out of style’. Do kthehen vetëm kur fillojnë të sillen mirë.”
Në një mënyrë të çuditshme, të qenit beqare po shihet si më “cool”, më e lirë, më karizmatike. Edhe gratë që janë në lidhje flasin me ironi për burrat ndoshta si formë solidariteti me vajzat e tjera, ndoshta sepse është bërë “jo seksi” të jesh vajza e dashuruar.
Edhe rrjetet reagojnë. Kur autorja britanike Stephanie Yeboah publikoi për herë të parë foton me të dashurin, humbi qindra ndjekës. “Tashmë më duket ‘cringe’ të postosh partnerin,” – tha ajo për Vogue. “Nuk dua të dukem si dikush që mburret me lumturinë në një kohë kur shumë njerëz po vuajnë për dashuri.”
Edhe influencerja Sophie Milner tregon diçka të ngjashme: “Këtë verë një djalë më çoi në Siçili. Kur e postova, ndjekësit më shkruan: ‘Të lutem mos gjej të dashur!’”. Ajo pranon se, në një farë mënyre, lidhja e bën më pak ‘interesante’ për publikun.
Sot, të kesh një partner nuk shihet më si dëshmi e suksesit apo feminitetit. Përkundrazi, në një botë ku vajzat kërkojnë pavarësi dhe autenticitet, “single life” po kthehet në statusin më i dëshiruar.
Të jesh e dashuruar nuk është turp. Por as të mos jesh. Dhe për herë të parë, gratë po zgjedhin ta çmontojnë mitin e dashurisë heteronormative që i ka ndjekur brez pas brezi — atë përrallë të vjetër ku lumturia fillon vetëm kur “gjen princin tënd”.
Në rrjetet sociale të vitit 2025, ndoshta ky është revolucion i vërtetë: të mos kesh frikë të jesh vajza pa të dashur dhe të mos ndihesh keq për këtë.
