Nga Kristina Hasa

Nuk është hera e parë që Donaldi na surprizon me punimet e tij, por kjo pikturë shkon përtej.

Dhe duke qenë se ccdo njeri mund ta interpretoj në mënyrat e tij po sjell më posht ndjesitë e mendimet e mia mbi këtë punim.

“The Laboratory of Time” (Laboratori i Kohës) titullohet puna e tij më e re. Në qendër të saj është Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jo siç jemi mësuar ta shohim, mbi kalë apo në bronz, por i vendosur brenda një hapësire.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by @donaldveshaj

Piktura nuk është heroike. Nuk është patriotike në sensin klasik. Skënderbeu i Donaldit nuk qëndron mbi kale, as në luftë. Ai qëndron aty si figurë e ngrirë në kohë, brenda një kubi, brenda një kornize që e izolon dhe e mbron njëkohësisht.

Ka një ngjashmëri të qartë me veprat e Francis Bacon, mënyra si përdor kuadratin si një “kornizë brenda kornizës”, një mënyrë për të fokusuar syrin e shikuesit mbi subjektin dhe për të krijuar ndjesinë e një hapësire të mbyllur, laboratorike, ku ndodh akti emocional.

Portreti i Skënderbeut më kujtoi në një çast Mikelanxhelon. Ndoshta ka qenë një referencë e pavetëdijshme, ndoshta një lidhje e qëllimshme mes dy figurave. Dy perëndi në pantheon të ndryshme. Një interpretim totalisht personal, e përsëris.

Një tjetër element që Donaldi e sjell me konsekuencë në veprat e tij është akulli. Këtë herë, jo si instalacion fizik, por si përbërës vizual. Portreti i Skënderbeut duket i ngrirë në një bllok akulli, i paprekshëm por jo i përjetshëm.

Akulli është element fluid, mund të bëhet edhe ujë, që rrjedh nëpër kohë. Çfarë ndodh me figurat e mëdha kur koha u kalon sipër? A është ky ende heroi ynë? Apo një figurë që po e shohim gjithnjë e më larg?

Në këtë laborator, Donaldi na le përballë. Përballë një Skënderbeu që na sheh, dhe pret të shihet ndryshe.