
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se nga data 1 Janar 2026 do të rritet paga minimale për të punësuarit në sektorin publik dhe privat. Me anë të një video-mesazhi në rrjetet sociale, Rama theksoi se 307.850 punonjës do marrin pagën minimale prej 500 euro paga, e cila sipas tij në fund të mandatit 4-vjeçar do të shkojë në 700 euro. Ai shtoi gjithashtu se qeveria do të subvenciojë për një periudhë 9 mujore me 90 mln euro edhe shtesën e kostove të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat.
“Pjesën e luanit në projektbuxhetin 2026 që ka shkuar në Parlament e zënë pensionet për të cilët e nisim vitin e ardhshëm me 100 mln euro shtesë përveç indeksimit. Por, nga 1 janari 2026 do rritet edhe paga minimale për 307.850 punonjës që do marrin shumën e premtuar 500 euro paga minimale, e cila do të jetë e para, por jo e vetmja e këtij mandati, ku paga minimale do të arrijë 700 euro. Qeveria do të subvenciojë për një periudhë 9 mujore me 90 mln euro edhe shtesën e kostove të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat”, tha Rama.
