
Një spilë sigurie (e njohur nga nënat dhe mamatë shqiptare gjerësisht si gjilpër kyçi), po, pikërisht ajo që gjendet në çdo shtëpi, është bërë objekti më i përfolur i luksit. Këtë herë është Prada që ka vendosur ta ngrejë një aksesor të zakonshëm në nivel ikone, duke e kthyer në një simbol ekskluziviteti me një çmim prej rreth 800 eurosh. Pyetja që po bëhet kudo është: sa jemi gati të paguajmë për t’u ndier “të veçantë”?
Spila në fjalë është ngjyrë ari (por jo prej ari të vërtetë), e zbukuruar me disa fije shumëngjyrëshe që e bëjnë më dekorative. Mund të vendoset në jakën e një xhakete apo në një çantë. një detaj i vogël që, sipas Pradës, kthehet në shenjë stili dhe identiteti.

Sigurisht, në të është i pranishëm logoja e famshme trekëndëshe e shtëpisë italiane, që e kthen një mjet praktik në objekt dëshire për koleksionistët e modës.
Në pak orë, interneti u nda në dy kampe:
-ata që e duan me çdo kusht
-dhe ata që reaguan me indinjatë.
Në TikTok dhe Instagram, spila është bërë trend viral, mes videove ironike dhe memesh që e krahasojnë me versionin e zakonshëm që mund ta blesh me pak cent.
Çfarë e bën kaq të veçantë?
Në fakt, asgjë e rrallë apo e çmuar. Nuk ka gurë të çmuar, as metale të rralla. Është thjesht një spilë metalike me një zinxhir të vogël dhe logon Prada. Por ky është edhe sekreti: nuk blen një objekt, blen përkatësi.
Një aksesor i tillë është deklaratë stili, pushteti dhe identiteti. Kush e mban, në njëfarë mënyre thotë: “Unë mundem.”

Moda e sotme duket e fiksuar me objekte të zakonshme të ngritura në kult: qese që duken si ato të tregut, pantofla plastike që shiten si haute couture, stilolapsa me logo që kushtojnë sa një telefon.
Spila e Pradës është vetëm shembulli më i fundit i “çmendurisë” së bukur që bën bujë online, por edhe një pasqyrë ironike e mënyrës se si funksionon sot dëshira për luks: një përzierje midis ikonës, ironisë dhe iluzionit të përkatësisë.
Dhe kështu, një spile sigurie prej 800 eurosh bëhet temë diskutimi, simbol i shijes, ironisë, por mbi të gjitha, i pushtetit të logos.
