Në Peruxha është hapur “Qyteti i Çokollatës”, një muze përvojash që jo thjesht mund të vizitohet por edhe hahet, nuhatet, preket dhe përjetohet me të pesë shqisat. Në një hapësirë prej rreth 2 800 metrash katrorë, kakaoja tregon historinë e saj nga fara deri te çokollata në tavolinë duke ndërthurur artin, historinë dhe inovacionin.
Ideatori i projektit është Eugenio Guarducci, themelues i Eurochocolate, festivalit të famshëm të çokollatës.

Çfarë është “Qyteti i Çokollatës”?
Muzeu është ngritur në ish-Merkaton e Mbyllur, në zemër të qytetit të Peruxhës, e restauruar dhe transformuar me shumë kujdes. Ndriçimet, imazhet dhe instalacionet krijojnë një atmosferë që të fut në historinë mijëvjeçare të kakaos.

Tradita e çokollatës në Peruxha nis pak metra më tej, në rrugën Via Alessi, ku në vitin 1907 u hap laboratori i Luisa dhe Annibale Spagnoli, hapësira e parë prodhuese e Perugina-s. Ky laborator historik, i restauruar me dashuri, do të hapet për publikun më 11 nëntor, me banakun origjinal të Luisës një simbol i kreativitetit, vizionit dhe sipërmarrjes femërore.


Nga karamelet tek “cazzotto” proto-Bacio Perugina, mesazh dashurie që më vonë u kthye në ikonë botërore  vizioni i Luisës shënoi një epokë.

Sapo kalon pragun e “Qytetit të Çokollatës”, nis një aventurë shumëdimensionale.
Në katin e sipërm, harta interaktive, projeksione dhe instalacione të artistit Manuel Gardina tregojnë “rrugën e kakaos”: nga qytetërimet para-kolumbiane deri te oborret europiane.

Nga mbreti aztek Montezuma, që e konsideronte kakaon pije të shenjtë, te pushtuesi Cortés, që e solli në Europë, e deri te sallonet aristokratike ku çokollata e nxehtë zëvendësoi çajin rrëfimet dhe detajet tregojnë si një kokërr kakao ka kaluar shekuj e kontinente.

Pas kësaj, ekspozita i kushton një hapësirë të veçantë Italisë së çokollatës: Torinos, “Chocolate Valley” në Toskanë, Modikës dhe “distriktit” të Peruxhës.


Qindra ambalazhe çokollate të vjetra, nga koleksioni i Stanislav Kramsky, tregojnë dekada fantazie grafike. Instalacione dinamike si një tortë rrotulluese një makinë historike “Balilla Perugina” dhe disa binokë gjigantë të çojnë virtualisht në plantacionin e kakaos Playa de Oro, në Ekuador, model i një zinxhiri të qëndrueshëm prodhimi.

Në një moment, një rrëshqitëse argëtuese të çon në katin e poshtëm si fëmijë që zhytesh në botën e kakaos.

Duke zbritur poshtë në këmbë apo duke rrëshqitur mes thesëve të kakaos hyn në “pyllin e kakaos”. Pemë, tinguj tropikalë dhe fruta kakaoje (cabosse) në përmasa natyrale shoqërojnë vizitorin përmes fazave të përpunimit: korrja, fermentimi, tharja.

Ekspozita fotografike “Mujeres del Cacao” e fotografit venezuelas Jesús Ochoa, në një bardh e zi elegant, sjell portretet e grave të Chuao-s, ruajtëse të dijes së lashtë rreth kakaos.

Më tej, një seksion i dedikuar për përfitimet e çokollatës tregohet përmes instalacioneve interaktive, të frymëzuara nga trupi i njeriut.

Një “container” artistik i Michela Peccini prezanton fabrikën “bean to bar” të FBM: këtu, mes makinerive, aromave dhe një dyshemeje me LED, vizitorët mund të krijojnë vetë çokollatën e tyre – me përparëse veshur dhe qese pastiçerie në dorë, si pasticerë të vërtetë.

Në fund të itinerarit, gjen një fustan mbrëmjeje të frymëzuar nga çokollata, dizenjuar nga Nicoletta Spagnoli, dhe historinë e shishes së Coca-Cola-s, e cila pak e njohur është frymëzuar nga forma e frutit të kakaos.
Gjithashtu, prezantohet programi ndërkombëtar Cocoa of Excellence (COEX), që vlerëson plantacionet më të mira të kakaos në botë, duke lidhur kërkimin, cilësinë dhe qëndrueshmërinë.

Para se të dalësh, ndalesa në Choco Shop është thuajse e detyrueshme.

Për një “last but not least”, në tarracën e ish-Merkatos së Mbyllur ndodhet Chocolate Bar, ku mund të shijosh ëmbëlsira të veçanta si “Colpo di Fulmine” me pamje mbi Peruxhë.

Natyrisht… pa asnjë ndjenjë faji.